Art dhe Kulture

Nisin netët e leximit të dramës shqipe me veprën “Muslimani”

“Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin e katërt në Teatrin Kombëtar nisën me veprën shqiptare “Muslimani”, nga autori Enver Petrovci.

Leximi artistik i veprës “Muslimani” erdhi nën interpretimin e aktorëve Sokol Angjeli në rolin e Dinit; Niada Saliasi në rolin e Nitës dhe Dori Çaushi – Narratore.

Leximi artistik i veprës shqiptare “Muslimani” nga Enver Petrovci ishte livestream më 26 mars në Facebook të Teatrit Kombëtar.

“Muslimani” tregon për Dinin, që është pensionist e musliman i devotshëm dhe falet pesë vakte, bashkë me të shoqen. Ata kanë një vajzë të vetme, Hanën e cila vendos të martohet me një amerikan të krishterë. Për këtë shkak Dini (60 vjeç) e dëbon përgjithmonë atë nga familja. Ndërkohë, gruaja e tij vdes dhe Dini mbetet vetëm. Pas shtatë viteve vetmi, në banesën e tij hyn Nita, (40 vjeç) një grua e ve, e cila prezantohet gjoja se e ka dërguar Ministria e Punëve Sociale, me qëllim që të kujdeset për të. Dinit në fillim nuk i pëlqen kjo marrëdhënie por me kohë ndërron mendje, madje edhe dashurohet me Nitën. Ajo në të vërtetë është e dërguar dhe e paguar nga Hana, me qëllim ta bindë babanë e saj të pajtohet me të. Insistimin e Nitës për pajtim, Dini gjithmonë e refuzon. Në fund, Nita thotë se nuk do të vijë më tek ai, ajo i pranon se nuk punon në ministri, por të gjitha gjërat që i ka blerë (telefonin, televizorin, kasetofonin, ushqimet madje edhe kujdesin për të) e ka paguar e bija e tij, Hana. Dinit, edhe pse i pëlqen sjellja e Hanës, nuk pranon pajtimin me të bijën, por Nitës i propozon të jetojnë bashkë në banesën e tij. Nita pranon të jetojë me të, por e informon se edhe ajo është e krishterë. Në atë moment Dini e kupton vajzën e tij Hanën dhe pranon të pajtohet me të me një kusht, që Nita të jetojë me të.

Leximi i dramës shqipe

“Netët e leximit të dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar u konceptuan për herë të parë në vitin 2014 nga teatri me synim promovimin, nxitjen dhe avancimin e dramës shqipe.

Vjet në kohën kur shpalli edicionin e katërt, Teatri Kombëtar shprehej se pas suksesit dhe impaktit shumë pozitiv me komunitetin artistik dhe teatërdashësit në edicionet paraardhëse, “Netët e leximit të dramës shqipe IV” do të vijnë sërish, por në një formë të re, atë virtuale, të kushtëzuar nga pandemia.

Veprat më të mira të këtij edicioni sipas Teatrit Kombëtar do të jenë pjesë e kalendarit artistik për vitin 2022, duke shpresuar që skenat të rihapen.

Veprat e përzgjedhura nga Teatri Kombëtar të cilat do i nënshtrohen leximit artistik, në këtë edicion janë:

“Djali me fytyrë zogu” nga Arian Krasniqi, “Muslimani” nga Enver Petrovci, “Departamenti i ëndrrave” nga Jeton Neziraj, “Pallati i ëndrrave” nga Altin Basha, “Pahitik në ëndërr” nga Xhabir Ahmeti, “Prefekti” nga Besim Levonja, “Mea Culpa” nga Diana Çuli dhe “Duke pritur Gobon” nga Armand Bora.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë