Anija kontejner “Ever Given”, 400 metra e gjatë, e cila bllokoi Kanalin e Suezit për gati një javë, është “zhvendosur 100% në drejtimin e duhur”, sipas një deklarate të lëshuar sot nga drejtori i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie, duke lejuar rifillimin e lëvizjeve të mjeteve lundruese në ngushticë.
Të ndihmuar edhe nga maja e baticës, një flotilje rimorkiatorësh, arritën të tërheqin harkun e anijes nga bregu me rërë i kanalit.
Vëzhguesit thanë, se sterna e anijes, e cila peshon më shumë se 200,000 tonë, më në fund është larguar plotësisht nga bregu perëndimor i kanalit.
Autoriteti i Kanalit të Suezit (Sca), tha se “manovrat tërheqëse për të ri-drejtuar anijen e kontejnerëve, filluan me ndihmën e 10 rimorkiatorëve gjigantë”. Transportuesi i mallrave ka filluar të “kthehet” dhe “tani lundron”, duke iu hapur rrugën mjeteve të tjera.
“Ever Given”, ishte bllokuar që nga e marta e shkuar në mënyrë diagonale përmes kanalit, duke penguar plotësisht rrjedhën e ujit me gjerësi afërsisht 300 metra, një nga zonat më të ngarkuara me anije në botë.
Kanali i Suezit, afërsisht 190 km i gjatë, merret me rreth 10% të tregtisë ndërkombëtare detare dhe çdo ditë që ndalet, shkakton vonesa dhe kosto të konsiderueshme.
Në total, gati 400 anije mbetën të bllokuara në skajet dhe qendrën e kanalit që lidh Detin e Kuq, me Detin Mesdhe.
Të paktën një duzinë rimorkiatorësh dhe pastrues për të thithur rërë nga poshtë anijes, u mobilizuan gjatë operacioneve.
Lëvizja duhet të rifillojë pasi anija të zhvendoset në një zonë mbajtëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.