Shoferi i taksisë nuk i kishte paguar paratë e mbrojtjes bandës. Sanderi, 22 vjeç, e vrau atë, ashtu siç ishte urdhëruar të bënte.
Policët shkuan ta arrestojnë në shtëpi, ata e e shtrinë në dysheme, duart ia lidhën pas shpinës, trupi i tij gjysmëi zhveshur, i mbuluar me tatuazhe që ngulitnin përkatësinë e tij në “Rrugën 18”, tregon një nga bandat më të egra të rrugës, në Amerikën Qendrore.
Ai u mor në shërbim kur ishte vetëm 12 vjeç, dy vjet më vonë ai ishte shndërruar në një vrasës. Sanderi u rrit i vetëm.
Babai i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në kërkim të fatit, kur ishte i vogël dhe nuk është kthyer më; nëna nuk ishte në gjendje të kujdesej për fëmijët. Banda është bërë forma e tij e vetme e familjes.
Kultura e dhunës, pas dekadash luftëra civile dhe varfërie, duket se është e natyrshme në Guatemala. Shkalla e vrasjeve mbetet një nga më të lartat në Amerikën Latine.

Viti 2020, përfundoi me 2,574 vrasje, 15,3 për 100,000 banorë, sipas të dhënave nga “Insight Crime Foundation”, me një rënie prej 28% krahasuar me vitin e kaluar, gjithashtu për shkak të bllokimit të zgjatur anti-pandemik.
Por ai mbetet një vend jashtëzakonisht i pasigurt, me një prani të vazhdueshme të dhunës “në rrugë” dhe krimeve të kryera nga “mareros”, veçanërisht në zhvatje.
Dy nga bandat më të famshme të Amerikës – Mara Salvatrucha, ose MS13, dhe “18th Street Gang”, ose Barrio 18, të dy të themeluara në komunitetet e migrantëve në Los Anxhelos në vitet 1980 – kanë një ndikim veçanërisht të fortë në Guatemalë.
Ata janë grupe transnacionale, të cilët rekrutojnë “ushtarët” e tyre në një moshë shumë të re, shpesh në shkollën fillore ose të mesme. Kjo është arsyeja pse “Rruga e 18”-të u quajt “ushtria e fëmijëve”.
“Clica” është një komunitet bashkëkohor dhe mbrojtës
T’i përkasësh një klike (nëngrupi i një bande), është e barabartë me të qenit pjesë e një komuniteti, bashkëkohor dhe mbrojtës.
Një zëvendësim për atë familje, që shpesh mungon në shtëpi, sepse prindërit kanë emigruar. Gjatë pandemisë, bandat janë përshtatur më së miri.
Me shkollat e mbyllura dhe fëmijët në rrugë, rekrutimi thjesht u bë më i lehtë. Dhe “maras” gjithashtu ka kompensuar vonesat në institucione, duke shpërndarë ushqim për komunitetet më të varfra ose për të sëmurët.
“Ka pasur një rritje në trafikun e barnave dhe pajisjeve mjekësore të të gjitha llojeve, nga maskat kirurgjikale te dezinfektuesit, deri te mjetet e provës anti-Covid”, paralajmëron studiuesi politik, José Miguel, i “Cruz Kimberly Green Latin American and Carribean Center”.
“Kohët e fundit, sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock, paralajmëroi se grupet kriminale po planifikojnë të infiltrohen në zinxhirët e furnizimit të vaksinave”.

Lufta e padobishme e autoriteteve për t’i goditur
Bandat e rrugës i kanë mbijetuar gati dy dekadave përpjekjeje për t’u ç’montuar nga qeveritë e Amerikës Qendrore dhe SHBA-ve.
Dhe ato vazhdojnë të përhapen. MS-13 ka mbi 50,000 anëtarë, midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Trekëndëshit Verior (Guatemala, El Salvador, Honduras).
“Barrio 18”, rreth 16,000. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), kriza e “migrantëve” drejt Shteteve të Bashkuara, shpjegohet gjithashtu nga kjo dhunë e përhapur dhe e egër.
Mijëra amerikano-qendrorë që lëvizin në veri me karvanë, po ndjekin ëndrrën amerikane, por gjithashtu po ikin nga korrupsioni dhe krimi i pamëshirshëm.
Gjysma e migrantëve, zbulon një raport nga Banka Ndër-Amerikane e Zhvillimit, i lënë fëmijët e tyre në shtëpi dhe u besohen gjyshërve të tyre apo lihen edhe vetëm. Këta kthehen në pre e lehtë për bandat, që u ofrojnë atyre mbrojtje dhe ndjenjën e përkatësisë.
Është një rreth vicioz, në të cilin krimi lulëzon edhe për shkak të mungesës së shtetit, pandëshkueshmërisë së përhapur dhe dobësisë ekstreme të qeverive (të tilla, si ai ajo e udhëhequr nga presidenti shumë i kontestuar konservator, Alejandro Giammattei).
Së bashku me mungesën e punës, tani e përkeqësuar nga pandemia, dhuna ushqen kështu fenomenin e migrimit.

Mbajtja e fëmijëve jashtë rrugës, është detyra shumë e vështirë që bie mbi shpatullat e gjyshërve. Ashtu si Miriam Martinez, 63 vjeçe, e cila është kujdesur për mbesën e saj, Camila, tani 11 vjeçe, me kohë të plotë prej gjashtë vjetësh.
Prindërit e saj u larguan në 2014-ën, duke kërkuar një punë në Shtetet e Bashkuara. “Është mjaft e vështirë për mua në moshën time. Dhe fëmijët kanë nevojë për dashuri prindërore”, pranon ajo.
Kur nuk kishin para në shtëpi, nëna dhe babai përgatitën bagazhet dhe nuk u kthyen më. Sipas një raporti të fundit nga Banka Botërore, përqindja e popullsisë në Guatemalë, e konsideruar e dobët, u rrit nga 43, në 49 përqind midis vitit 2006 dhe 2014.
Megjithëse PBB-ja e vendit, u rrit pak në ato vite, me një mesatare prej 1, 3%, klasa e mesme është zvogëluar nga 21, në 15% të popullsisë dhe të varfërit janë bërë edhe më të varfër.
Një ushtri migrantësh që ikin në Veri
Dhe ky është skenari para-pandemik nga Covid-19. Numri më i lartë i migrantëve në SHBA, vjen nga Guatemala (rreth 280,000 u arrestuan nga policia kufitare në 2019).
Një fenomen që prek edhe ata që mbeten. Ashtu si Sanderi në të kaluarën, mijëra fëmijë dhe adoleshentë në Trekëndëshin e Amerikës Qendrore, po rriten vetë.
Shumë përfundojnë në burg, ku bandat kontrollojnë edhe më shumë fatet e tyre. “MS13 dhe Barrio 18 përpiqen të kontrollojnë burgjet e mbipopulluara për të organizuar dhe menaxhuar rrjetet e tyre. Dihet që drejtuesit e lartë të dy bandave, veprojnë nga burgjet e Guatemalës”, zbulon “InSight Crime Foundation”, sipas të cilit, bandat janë një organizatë e vërtetë shoqërore.
“Bandat nuk kanë qëllime hegjemonike ekonomike afatgjata, si kartelet e drogës. Ato zhvillohen si rezultat i një materializmi të përhapur dhe të dëshpëruar dhe janë shprehja e një vizioni nihilist dhe vetëshkatërrues të jetës”, konfirmon Roberto Bonini, kreu i projektit “Menores y Justicia.
Tatuazhe, rite dhe strategji inicimi
“Ritet e fillimit, simbolet e përkatësisë, gjuha simbolike e tatuazheve ose një fjalor i mbyllur, shfaqjet ekstreme të virgjërisë, shërbejnë për të siguruar një identitet të saktë dhe në të njëjtën kohë të fragmentuar për të rinjtë dhe adoleshentët pa referenca dhe pa prindër”.
Projekti “Menores y Justicia”, lindi në vitin 2016, me qëllimin për të inkurajuar, me masa alternative ndaj paraburgimit, riintegrimin e të miturve në konflikt me ligjin në tre vendet e Trekëndëshit Verior.
Ai ka kontribuar në një ndryshim të prekshëm në Guatemalë. Deri në vitin 2017, të miturit e burgosur në 4 qendrat e privimit të lirisë, ishin rreth një mijë, në vitin 2019, ato ranë në 680.
Ndërkohë, masat alternative, janë rritur ndjeshëm: në vitin 2018, më shumë se 80% e të miturve që përfunduan në gjyq, kanë parë dënimin me burg të ndryshohet në një masë ose sanksion socio-edukativ.
Gjykatat ua besojnë fëmijët OJQ-ve
Projekti ka rritur ndërgjegjësimin e gjyqtarëve dhe kapacitetin operacional të shoqërisë civile. “Në Guatemalë, grupi ‘Ceiba’, i mbështetur nga “USAID”, ishin në gjendje të prisnin pothuajse 400 të mitur në konflikt me ligjin nga gjykatat e të miturve dhe të garantonin pjesëmarrjen e tyre në programe arsimore dhe trajnuese dhe mbështetje psikosociale”, – shton Bonini.
Mbetet për t’u pare, se si duhet të ndihmohen adoleshentët më të prekshëm para se të rekrutohen nga bandat.
“Migrimi ndikon. Prindërit largohen për të fituar para, por në fund të fundit, ne paguajmë një çmim shumë të lartë”, – thotë Berenice, gjyshja e një adoleshenti 15-vjeçar.
Babai iu vra, nëna është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Herë pas here ajo dërgon para në shtëpi, “por paratë nuk zëvendësojnë një nënë”.
Për disa kohë, nipi i saj është parë të qarkullojë në lagje me anëtarë bandash. Berenice nuk e kontrollon dot më.
Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



