Restaurimi, rikonstruksioni dhe rehabilitimi i hapësirave Galerinë Kombëtare të Arteve do të kushtojë 1 miliardë e 365 milionë lekë dhe do të zgjasë 3 vite.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prezantoi projektin e realizuar nga “Atelier 4”, që do të marrë jetë në të ardhmen.
Projekti, sipas ministres, nuk synon tjetërsim të godinës aktuale, por ruajtjen edhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese, duke dyfishuar edhe vëllimin nga pjesa e pasme e godinës.
“Ky projekt përfshin jo vetëm restaurimin e godinës, që është një nga kërkesat kryesore për të gjithë projektin, por edhe shtimin e një sërë funksionesh, që duhet të kenë dhe muzetë tanë, që të flasin me gjuhën e kohës. Është një projekt që merret me pjesën ekzistuese edhe dyfishon vëllimin, duke shtuar në pjesën e pasme hapësira të reja dhe një fond të mirëfilltë në pjesën e nëntokës”, është shprehur Margariti.
Ministrja është shprehur edhe për punimet që po bëhen në ndërtesën e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, të cilat shkaktuan debat në rrethin e arkitektëve dhe specialistëve të monumenteve, duke qenë se materniteti është monument kulture i kategorisë së dytë.
Sipas ministres, godina do të ruajë basorelievin dhe ndërhyrjet po bëhen në pjesën që është ndërtuar gjatë regjimit komunist.
Për sa u takon punimeve që kanë nisur pranë zonës ku ndodhet Mozaiku i Tiranës, Margariti theksoi se, “Mozaiku i Tiranës, ka një zonë të vetën, të mbrojtur që identifikohet shumë thjesht, pasi është e rrethuar me kangjella dhe e gjithë kjo pjesë administrohet nga Ministria e Kulturës”.
“Punimet urbane në zonën përreth mozaikut kanë ndodhur, jo vetëm sot por edhe gjatë 20 viteve të fundit, për sa kohë aty ka banorë që jetojnë prej dekadash dhe çdo vepër publike është në shërbim të komunitetit. Por në çdo territor të Shqipërisë, prevalon ligji i potencialit arkeologjik. Ne në këshillin e monumenteve, kemi jo pak projekte të veprave publike të cilat kalojnë për miratim më parë tek ne dhe ne i vlerësojmë nëse ka potencial arkeologjik. Në zonë e Mozaikut Arkeologjik të Tiranës nuk ka shkelje të ligjit”, deklaroi ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



