Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndaj Lituanisë në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, para dy ndeshjeve shumë të vlefshme kualifikuese për “Katar 2022” ndaj Suedisë dhe Spanjës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Dardanëve, të cilët përveç shumë rasteve shënuan edhe një gol. Arbër Zeneli, pas disa rasteve për gol, vendosi ta zgjidhë vetë ndeshjen dhe në minutën e 27-të ia doli të shënonte përmes një aksioni personal. Driblime dhe goditje perfekte, Kosova në epërsi. Në fraksionin dytë të lojës Kosova pati një marsh më tepër, ku Vedat Muriqi shënoi me kokë për 2-0 pas asistimit të saktë të Milot Rashicës.
Pas golit të Muriqit në skenë doli përsëri Zeneli (71’) që u përkujdes të shënojë golin e dytë personal dhe të epërsisë 3-0 për Kosovën. Ky gol i tretë nuk e ndali ekipin Dardan, pasi në minutën e 79-të shënuan edhe një gol me anë të Besar Halimit, , i cili dhuroi spektakël në zonë dhe shënoi edhe golin e katërt.
Deri në fund të ndeshjes, Kosova e menaxhoi mirë lojën pati edhe disa raste tjera, por rezultati nuk ndryshoi dhe u mjaftuan me rezultatin 4-0. Kosova, para ndeshjes me Suedinë e Ibrahimovic, mori një fitore morali, por në duelin e radhës nuk do të mjaftojë vetëm një marsh tepër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




