Art dhe Kulture

Dosja “Marubi” drejt UNESCO-s

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka nisur procedurat për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. Dosja “Marubi” tashmë është gati për dorëzim pranë UNESCO-s dhe dosja do të paraqitet për kandidim pranë UNESCO-s, në programin “Memory of the World Register”.

Plotësimi përfundimtar i dosjes “Marubi”, u zyrtarizua në prani të ministres të Kulturës, Elva Margariti, zëvendësministres Meri Kumbe dhe drejtorit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” Luçjan Bedeni.

Aktualisht e vetmja pasuri kulturore shqiptare, që është pjesë e këtij programi janë Kodikët e Beratit, të pranuar në vitin 2005.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cilëson një lajm të mirë. Në një postim në rrjetet sociale, pas vizitës në Shkodër, ministrja Elva Margariti shprehet se është një pasuri e jashtëzakonshme, që nuk është vetëm krenari e Shkodrës. “Dosja ‘Marubi’, drejt UNESCO-s! Pas një pune 2-vjeçare ka përfunduar hartimi i dosjes së kandidimit të ‘Marubit’ në ‘Memory of the World Register’. Një pasuri e jashtëzakonshme, që nuk është vetëm krenari e Shkodrës, jo vetëm kombëtare, por që duhet t’i përkasë mbarë njerëzimit; historia dyshekullore shqiptare në celuloid. E nderuar ta prezantoja këtë nismë në Shkodër, me falenderimet më të përzemërta për grupin e punës, pranë muzeut ‘Marubi’ e në Ministrinë e Kulturës, që çoi përpara këtë aspiratë tonën”, shprehet ministrja Elva Margariti.

Programi “Memory of the World Register” mbron trashëgiminë kulturore dokumentare të njerëzimit, nga harresa kolektive, braktisja, dëmtimet kohore e të diktuara nga kushtet klimatike, apo edhe ata të qëllimshme. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” shprehet se ceremonia e dosjes ishte kulmimi i një pune shumëvjeçare të muzeut për aktivizimin e kontakteve si dhe përpilimin e dosjes që do të dorëzohet pranë zyrave qendrore të UNESCO-s. “Ne falenderojmë përzemërsisht stafin e muzeut për punën e kujdesin në përgatitjen e materialit, Ministria e Kulturës për nxitjen e dialogimit me përfaqësinë shqiptare të UNESCO-s në Paris, si dhe Ambasadën e Shqipërisë në UNESCO dhe ambasadorin z. Ferit Hoxha, për ndihmesën, sugjerimet gjatë përpilimit e dashamirësinë për ta bërë punën tonë të përbashkët, realitet”, shprehet muzeu “Marubi”.

Tashmë dosja për muzeun e fotografisë “Marubi”, i cili mbart të gjithë koleksionin dhe arkivin e familjes më të njohur në Shkodrën e shekullit të 19-të është mbyllur. Për muzeun, ky është hapi i parë konkret drejt UNESCO-s, drejt një procesi i cili kërkon të vlerësojë imazhet e arkivit Marubi, ku ruhen rreth dy shekuj histori, proces i cili pritet të kulmojë në vitin 2022. “Ky koleksion përfaqëson për historinë e kombit shqiptar dhe të civilizimit europian në një plan më të gjerë, si një urë lidhëse mes të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, përmes së cilës bëhet e mundur të ballafaqohemi dhe të rikonsiderojmë vazhdimisht identitetin tonë”, shprehet muzeu “Marubi”.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është i pari muze fotografie në Shqipëri i hapur në maj 2016 nga koleksioni i ish-Fototekës Kombëtare “Marubi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë