Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dy vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Por duke zbritur 1/3 e dënimit nga gjykimi i shkurtuar që ka përfituar, i mbetet 1.4 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike.
Ndaj Llallës, SPAK ngriti akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarim të pasurisë”, kryer në tre raste.
Sipas SPAK, ai dyshohet të mos ketë deklaruar një shumë prej 7400 dollarë të shpenzuara në SHBA, një shumë për ndërtimin e një banese, si edhe shpenzime të kryera në Gjermani.
Të enjten e kaluar, Gjykata e Posaçme, kaloi për gjykim dosjen “Llalla”, ndërsa gjatë seancës paraprake, GJKKO, pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.
Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO vendosi sekuestrimin e 5 pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.
Vendimi u mor pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme, e cila po heton ish-kryeprokurorin për ligjshmërinë e pasurisë, në kuadër të ligjit anti-mafia.
Më herët, Gjykata Speciale, ka sekuestruar, një apartament banimi në Durrës me sipërfaqe 67.2 m2, tokë arë me sipërfaqe 4.5 mijë m2, tokë arë me sipërfaqe 12 mijë m2 në Tiranë, tokë arë me sipërfaqe 3 mijë m2 në Tiranë, si dhe një tjetër tokë arë, me sipërfaqe 2.2 mijë m2 në kryeqytet, që të gjithë në pronësi të Adriatik Llallës.
Llalla u hetua për disa vepra penale, përfshirë edhe pastrimin e parave, por në fund ai u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.