Njerez

Raporti i OKB: Pandemia i dëmtoi shumë psikologjikisht dhe ekonomikisht gratë në Shqipëri

Pandemia e COVID-19 ka nxitur edhe më shumë pabarazinë për gratë, duke ndikuar tek to edhe më shumë nga ana psikologjike dhe ekonomike.
Sipas raportit të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, treguesit në Shqipëri kanë qenë shqetësues. Të dhënat treguan se mesatarisht, 70 për qind e grave në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore raportuan se kishin kaluar më shumë kohë në punë shtëpie sesa para pandemisë. Ndikimi i pandemisë në jetën e përditshme të grave ka qenë i madh. Gjetjet e titulluara “Sondazhi i Vlerësimit të Shpejtë Gjinor” tregoi se shëndeti psikologjik dhe mendor i grave po preket në nivele më të larta se ajo e burrave.
Të dhënat treguan se në vendin tonë nga të gjitha gratë e pyetur rreth 62 % kanë raportuar se kishin nivele të larta psikologjike. Në raport thuhet gjithashtu se në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, gratë në mënyrë disproporcionale mbajnë barrë e punëve të shtëpisë dhe të kujdesit, punë që shpesh është e padukshme dhe e papaguar, dhe që pengon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Sipas UNECE (Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën) edhe para COVID-19 gratë kishin të paktën dyfishin e nivelit të punëve shtëpiake dhe kujdesit në raport me burrat dhe në disa vende si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Turqia niveli varion nga 3 në 5 herë më i lartë për gratë. Shpërndarja e punës së papaguar jep një ide të faktit që gratë kanë më pak orë në javë që mund t’i kushtojnë punës me pagesë, në ndryshim nga koha që kanë burrat.
Të dhënat tregojnë se mbi 40 për qind e grave raportuan ulje të orëve të paguara të punës. Ishin gratë në grupin e moshës 18-34 vjeç që raportuan një humbje më të lartë në orët e paguara të punës krahasuar me gratë e tjera dhe krahasuar me burrat në e njëjtën grupmoshë. Ndërsa gratë e vetë punësuara u përballën me rënien më të madhe të orëve të paguara të punës.
Më tej raporti përcakton se si rezultat i humbjes së burimeve të jetesës, të tilla si remitancat dhe bujqësia, gratë gjithashtu raportuan vështirësi më të mëdha se para pandemisë në plotësimin e nevojave themelore dhe pagimin e shpenzimeve themelore, të tilla si qira, shërbime komunale dhe ushqim. Gratë me fëmijë kishin rritje të lartë me 75 deri në 80 për qind të raportimit të vështirësive lidhur përmbushjen e nevojave themelore kjo në vende si Shqipëria dhe Gjeorgjia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë