Vllaznia fitoi 1-0 përballë Korabit dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Suksesi në “Loro Boriçi” ka rikthyer qetësinë tek ekipi shkodran, që nuk ka bërë mirë kohët e fundit. Për këtë arsye, klubi shkodran i futbollit ka gjobitur stafin teknik, trajnerin Brdaric dhe lojtarët titullarë, që kanë qenë pjesë e formacionit në ndeshjet e fundit. Shkak për këtë veprim janë bërë rezultatet negative, nga të cilat u humb kreu i Superiores, por rrezikon të “hidhen në erë” edhe Kupat e Europës. Përmes një njoftimi publik, KF Vllaznia bën me dije se këto gjoba janë me kusht: do të ekzekutohen vetëm nëse nuk vjen kthesa e skuadrës dhe nuk sigurohen Kupat e Europës:
“Rezultatet e dobëta të ndeshjeve të fundit si trajner dhe mungesa e disiplinës të ngarkojnë me përgjegjësinë e rrezikimit të objektivave të klubit.
Të kërkohet të rrisësh nivelin e vendimmarrjeve gjatë seancave stërvitore dhe ndeshjeve, teksa kërkohet edhe motivimi i lojtarëve drejt rezultateve pozitive. Të informojmë që klubi ka vendosur të aplikojë një masë disiplinore me një sanksion financiar prej 1.5 milion lekësh.
Nëse trajneri kontribuon në arritjen e rezultateve pozitive në tre ndeshjet e fundit të fazës së tretë, atëherë klubi do të anulojë gjobën ndaj tij“, lexohet në letrën Voltana Ademit, në rolin e presidentes së klubit shkodran.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




