Bizneset dhe subjektet pranë stadiumit ‘Air Albania’, të cilët operojnë në fusha të ndryshme, kryesisht bar-kafeteri janë kthyer në një shqetësim për FSHF. Kjo e fundit ka kërkuar që të lirohen ambientet rreth e qark impiantit, pasi në të kundërt rrezikohet ndeshja me Anglinë, që luhet me 28 mars për kualifikueset e Botërorit.
Për pasojë FSHF, në bashkërendim dhe sipas rekomandimeve të UEFA-s i ka kërkuar IKMT-së që të lirojë hapësirat, duke qenë se zgjerimi pa kriter i bizneseve bllokon rrugët e kalimit të tifozerive dhe cenojnë sigurinë e kërkuar në një ndeshje futbolli. Për këtë situatë FSHF ka vënë në dijeni si kryeministrin Rama ashtu edhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Operatorë të ndryshëm bar-kafe kanë avancuar me ngritjen e strukturave permanente prej hekuri dhe betoni në trotuaret e stadiumit, duke cenuar seriozisht standardet e sigurisë për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por në fakt, elemente themelore sigurie për çdo organizim ndeshjeje të çdo natyre.
Gjithashtu, siç e dini, Tirana ka marrë besimin e UEFA-s për të zhvilluar finalen e parë të kompeticionit të Ligës së Konferencës, ngjarje historikë dhe e papërsëritshme, që mund të cenohet zhvillimi i saj. Kërkojmë të merrni masa për lirimin e hapësirave“, shkruhet në letrën e FSHF-së

Shqipëria i fillon eliminatoret e Botërorit Katar 2022 më 25 mars përballë Andorrës në transfertë. Tre ditë më vonë është radha e sfidës shtëpiake kundër Anglisë, që do të luhet në “Air Albania”. Me Anglinë jemi ndeshur 4 herë, me statistikat që anojnë vetëm nga ana e ishullorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




