Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit konsideron që ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës mund të zhvillohen me praninë e shikuesve në stadiume. RFEF ka bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që të lejohen 10% të shikuesve në duelet kundër Greqisë dhe Kosovës. Më 25 mars, Spanja pret Greqinë në stadiumin Nuevo Los Cármenes në Granada, dhe rrjedhimisht 10% e kapacitetit të tribunave përkthehet me 2 mijë tifozë.
Ndërsa më 31 mars ‘Furia e kuqe’ do të përballet me Kosovën në stadiumin ‘La Cartuja’ që është shumë më i madh se ai i Granadas. Nëse Ministria e Shëndetësisë miraton kërkesën e Federatës Spanjolle, në ndeshjen Spanjë – Kosovë do të lejohen 5 mijë tifozë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se do të lejohen tifozët e Kosovës, ngase UEFA ka ndaluar për çdo kombëtare që të lejojë tifozët mysafirë në stadiume për shkak të situatës globale me Covid-19.
Kohët e fundit ka patur shumë tension mes Kosovës dhe Spanjës. Një tension politik, pasi Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe, në njoftimin e Federatës Spanjolle të Futbollit për tri ndeshjet e para kualifikuese te Katar 2022, është përdorur termi “territori i Kosovës”. Një veprim që ka sjellë reagime të forta në Prishtinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




