Franca do t’u kthejë një pikturë të artistit austriak, Gustav Klimt, trashëgimtarëve të një familje hebreje që u detyruan të shesin veprat e artit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Piktura, e blerë nga shteti francez në vitin 1980, po mbahej në Musée d’Orsay të Francës, një nga muzetë kryesorë të Parisit.
Më parë piktura i përkiste Nora Stiasny, e cila jetonte në Purkersdorf, afër Vjenës në Austri.
Ministrja franceze e Kulturës, Roselyne Bachelot, tha se kthimi i saj pronarëve të saj të ligjshëm ishte një njohje e krimeve që pësuan. Sipas saj, piktura dha dëshmi për “jetën e thyer” të epokës naziste.
“Austria u aneksua nga nazistët në vitin 1938. Prona e Stiasny-s u konfiskua gradualisht dhe në gusht të atij viti, ajo u detyrua t’i shiste një të njohuri pikturën e saj, që tani mban titullin ‘Rosiers sous les Arbres’, me një çmim të reduktuar”, tha ministrja e Kulturës e Francës, Roselyne Bachelot.

“Në prill 1942, Stiasny dhe nëna e saj, Amalie, u dëbuan dhe u vranë në Poloninë e pushtuar nga nazistët, në kampin e afërt të shfarosjes Belzec”, vijoi Bachelot.
Burri i Stiasny, Paul, dhe djali i tyre, Otto, u dëbuan në kampin Terezin afër Pragës dhe më pas në Auschëitz.
Në vitin 2019, Ministria e Kulturës e Francës u përpoq të identifikonte veprat e vjedhura në koleksionet e saj.
Bachelot tha se, pas një procesi të gjatë për të identifikuar pronarët origjinalë të artit, piktura do të kthehej te pasardhësit e Stiasny. Ajo shtoi se kthimi i pronës së konfiskuar hebraike ishte detyrë e Francës.
“Vendimi që morëm është pa dyshim një vendim i vështirë. Do të thotë të nxjerrësh nga koleksionet kombëtare një kryevepër, që është për më tepër piktura e vetme e Gustav Klimt që zotëronte Franca. Ne e dimë që përndjekja e hebrenjve ka marrë shumë forma. Shumë shpesh, para eliminimit metodik, para shfarosjes, kishte vjedhje të mallrave të hebrenjve, të urdhëruar të braktisnin gjithçka”, tha ajo.
Përfituesit do të jenë pasardhësit e motrës së Nora Stiasny. Qeveria franceze do të duhet të miratojë një projektligj për ta lejuar atë të lirohet nga koleksioni kombëtar dhe t’i kthehet familjes.
Lindur në Austri në 1862, Gustav Klimt, ishte një nga anëtarët themelues të shkollës së pikturës të njohur si Seksioni i Vjenës, një grup artistik avangardë në fund të shekullit.
Në vitin 2017, një pikturë me lule e Gustav Klimt u shit për gati 48 milion £ në Sotheby’s në Londër.
Artisti është më i njohur për pikturën e tij “Puthja”, një nga veprat më të njohura në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



