Mbrëmjen e së martës u ndanë çmimet e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”, një festival ndryshe pasi nuk u mbajt në shtëpinë e vërtetë të Teatrit, por erdhi në versionin online për shkak të kushteve të pazakonta nga pandemia Covid-19.
“Falënderojmë pa masë të gjithë pjesëmarrësit, që me shfaqjet e tyre të mrekullueshme, ishin pjesë e këtij festivali të parë në llojin e tij. Falënderojmë gjithashtu publikun mbarëshqiptar që na ndoqi që prej datës 23 Shkurt e deri më sot. Falënderojmë sponsorët tanë që, me mbështetjen e tyre, bënë të mundur realizimin e këtij Festivali”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar.
Çmimet e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove:
Shfaqja më e mirë – Galaksia (skena nga një ekzekutim)
Regjia më e mirë – Dino Mustafic’
Aktori më i mirë protagonist – Gëzim Rudi
Aktorja më e mirë protagoniste – Olta Daku
Aktori më i mirë joprotagonist – Gert Ferra
Aktorja më e mirë joprotagoniste – Arta Muçaj
Aktori/Aktorja i ri më i mirë – Igli Zarka & Silvio Goskova
Çmimi i karrierës – Bujar Lako (postmortem)
“Teatri vazhdon” ky ishte slogani i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, në të cilin morën pjesë 20 trupa nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe nga skena e pavarur, me shfaqjet e tyre më të mira që prej 23 shkurtit, nëpërmjet një dritareje virtuale, livestream në facebookun e Teatrit Kombëtar dhe në facebookun e teatrove pjesëmarrëse.
“Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu On”, ishte një nismë e dy institucioneve teatrore në vendin tonë, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



