Nga Anxhela Çelanji – Bashkim.H, mësues në një nga shkollat e Tiranës i tregoi Gazetasi.al se nuk dëshiron që të bëjë vaksinën anti-Covid.
“Nuk është se nuk dua të bëj vaksinën, por nuk dua të bëj këtë vaksinë që ka ardhur për mësuesit. Nuk ka pse të jenë të ndarë mësuesit nga stafi shëndetësor. Cilësia e vaksinës AstraZeneca është e dyshimtë. Shumë vende po e pezullojnë. Nuk mendoj se kanë ardhur këtu më të mirat dhe ato me probleme në vendet Europiane”, shpjegoi ai për Gazetasi.al.
Pavarësisht se pjesa më e madhe e mësuesve në rrethet ku ka filluar procesi i vaksinimit, deri më tani kanë pranuar të vaksinohen, në një dalje publike të Hënën Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, konfirmoi se ka pasur një sërë mësuesish si Bashkimi, që janë skeptik për të bërë vaksinën, nuk kanë pranuar. Gjithashtu, në shumë qytete ka pasur mësues të cilët nuk kanë dashur të bëjnë vaksinën.
Cilësia e vaksinave AstraZeneca ka ngritur polemika edhe në vendin tonë.
Gazetasi.al ka komunikuar me mësues të cilët nuk duan ta bëjnë vaksinën AstraZeneca dhe me prindër të cilët nuk duan që fëmijët të jenë në të njëjtin ambient me mësues të pavaksinuar. Kjo situatë u krijua pasi shumë vende Europiane pezulluan vaksinën AstraZeneca, pasi tek disa të vaksinuar kishte shfaqur mpiksje gjaku dhe ky nuk është një efekt anësor i vogël. Problemi me vaksinën AstraZeneca nisi në Austri kur një person ndërroi jetë pasi bëri vaksinën dhe një tjetër u sëmur rëndë. Duke marrë parasysh shqetësimin se e mësuesve dhe të prindërve njëkohësisht, Gazetasi.al pyeti pranë autoriteteve shëndetësore se si do mund të zgjidhej kjo çështje, por nuk mori asnjë përgjigje.

Ndërkaq sociologja Marsida Simo i shpjegoi Gazetasi.al se oas një periudhe mezi pritje të vaksinave si simbol i shpëtimit nga pandemia tashmë gjendemi përballë dyshimeve të vaksinimit.
Simo i mëshon faktit se prindërit kanë të drejtë të shqetësohen, por në kushtet që jemi, mësuesit kanë lirinë e zgjedhjes dhe kjo nuk mund të ndryshojë për hir të një kërkese të një grupi tjetër.
“E drejta e zgjedhjes nuk mund të kalojë në kompromis. Ashtu siç mësuesit rrezikuan jetën gjatë kësaj periudhe, po ashtu duhet të respektohet vendimi i tyre” thotë Simo e cila shton se nevojitet pak kohë sa të qartësohen dyshimet apo aludimet rreh vaksinës pasi koha është ajo që i vë gjërat në vend paralel me informacionin e saktë.

Blerina.L, një tjetër mësuese në një shkollë 9 vjeçare në qytetin e Tiranës shpjegon se nuk e shikon të arsyeshme të marrë vaksinën AstraZeneca pasi ka shumë paqartësi mbi këtë vaksinë.
“AstraZeneca është vaksina më e lirë, plus që prej fillimit ka pasur probleme. Unë jam mësuese biologjie dhe më lidh puna të studioj ndoshta dhe më shumë se të tjerët. Pa marrë parasysh si erdhën vaksinat apo nga erdhën, vaksinat AstraZeneca kanë qenë problematike që në fillim. Ka shumë gjëra që nuk më bindin tek kjo vaksinë. Unë për vete nuk dua ta marr”, shpjegoi ajo.
I vendosur për të mos marrë vaksinën, Bashkimi thotë se është e padrejtë për mësuesit kjo që po bëhet. Ai i tregon Gazetasi.al se duhet të lihej në dorën e tyre të zgjidhnin se cilës vaksinë i besonin.
Në vazhdim të mendimit, Simo kujton vitin 2016 ku prindërit u shqetësuan për vaksinën e fëmijës së tyre që bëhet në moshën 1 vjeçare.
“Qarkulluan në internet shumë materiale (disa u quajtën edhe studime) ku u theksonte se kjo vaksinë shkakton autizëm. U desh së paku një vit, madje ende vazhdojnë këto shqetësime në lidhje me këtë çështje. Shumica e prindërve morën vendime që i bazuan me konsulta mjekësore dhe informacione të sakta”, përfundon Simo.
Nën të njëjtën rrjedhë si mësuesit më sipër vijon edhe Luljeta, një tjetër mësuese e Gjuhë-Letërsisë. Ajo i tha Gazetasi.al se vaksinimi është shumë i rëndësishëm, por nuk do ta bëjë deri sa t’i ofrohen dozat Pfizer. Mësuesja thotë se i beson më shumë vaksinës Pfizer pasi nuk ka shfaqur probleme askund.
“Shoqet e mia mjeke më kanë treguar se nuk kanë pasur efekte anësore të konsiderueshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nuk kam pse të rrezikoj!”, shtoi mësuesja. Luljeta i shpjegoi Gazetasi.al se nuk dihet nëse vaksinat janë të duhurat apo jo, pasi edhe në vendet e tjera nuk tha askush se do shkaktonin probleme por shkaktuan.

Ndërkaq çështja e mosvaksinimit nuk është thjesht “kapriço” e mësuesve. Nëse ka mësues që nuk duan të vizitohen kjo është problematikë e madhe edhe për prindërit. Gazetasi.al foli me disa prindër në kryeqytet të cilët kanë shprehur shqetësimin se “nuk duhen të lënë fëmijët me mësues të pavaksinuar dhe të rrezikuar nga Covid-19”.
6 prindër të cilët kanë fëmijët të grupmoshave të ndryshme që nga 7 vjeç deri në 15 vjeç i treguan Gazetasi.al se ky do të ishte një problem i madh për ta dhe familjet e tyre.
“Normalisht që nuk dua të lë vajzën time në një ambient me një person të pavaksinuar. Pastaj fëmijët janë të mbrojtur vetëm kështu. Duke pasur mësues dhe prindër të vaksinuar sepse ata vetë nuk mund të vaksinohen. Si do të mbrohen ndryshe se këto masat nuk po na bëjnë punë,” tregoi Lilijana.B, nëna e një vajze 8-vjeçare në fillore tek shkolla “Sabaudin Gabriani” në zonën e 21-shit.
Në një kohë kur ka shumë shqetësime, vaksinat AstraZeneca në vendin tonë do të shërbejnë edhe për personat 80+, pasi ata janë një ndër kategoritë prioritare për të marrë vaksinimin pasi janë gjithashtu më të rrezikuarit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të hënën deklaroi se kjo është një mënyrë kombinimi vaksinimesh për të nxitur vaksinimin e shpejtë në terren, e rrjedhimisht dhe imunimizmin e popullatës. Të gjitha deklaratat bindëse për vaksinimin duket se nuk kanë mjaftuar pasi nuk kanë mundur të shmangin shqetësimin e prindërve dhe dyshimet e mësuesve.
Danieli, një tjetër prind i një vajze 13-vjeçare në një tjetër shkollë 9 vjeçare në kryeqytet shpjegon se vaksinimi i mësuesve nuk ndikon vetëm për shëndetin e nxënësve që është shumë i rëndësishëm, por edhe për realizmin e mësimit. Ai ngulmon se nëse mësuesi i vajzës së tij nuk do të vaksinohet, ajo do të vijojë mësimin online.
“Nuk kam besim ta çoj në shkollë kështu. Më mirë të vijojë të mësoje online dhe të jetë e sigurt. Unë kam refuzuar që ta dërgoj dhe në orët kur ajo ka mësimin e kombinuar”, tregon ai, duke theksuar se edhe daljet e tyre familjare janë të kufizuara.
Njëjtë si Danieli ka edhe prindër të tjerë, të cilët duan që fëmijët e tyre të jenë të sigurt nëse do të shkojnë në shkollë. Ata shpjegojnë se vaksinimi i mësuesve lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve të tyre pasi ata kanë kontakt me mësuesit pjesën më të madhe të ditës.
Ndërkaq nga ana tjetër, mësuesit, siç thonë, “nuk duan të rrezikojnë dhe më shumë shëndetin e mes tyre ka pasur kolegë që nuk u kursyen nga virusi”, duke sjellë një problem zinxhir nga i cili varet shëndeti i shumë personave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




