Një i ri 24 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë i infektuar me Covid 19, është hedhur nga kati i tretë i Spitalit të Elbasanit.
Sipas burimeve, i riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në gjendje kritike për jetën, pasi ka pësuar dëmtime në kokë.
Mësohet se 24-vjeçari nuk ishte i shtruar në spital, por kishte shkuar të kryente disa analiza mjekësore.
I shoqëruar nga i ati, ai i ka shpëtuar nga vëmendja këtij të fundit dhe është hedhur nga kati i tretë i godinës së ish-Kirurgjisë së Vjetër.
Ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm kur të sëmurë me koronavirus tentojnë vetëvrasjen në ambjentet e spitalit.
Rasti i parë është regjistruar në muajin gusht, më datë 13. I riu nga Durrësi Xhino Koça, 29 vjeç, pas disa ditësh trajtim në spitalin “Shefqet Ndroqi” u vetëhodh nga kati i tretë dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Ndërkohë, edhe rasti i dytë është regjistruar në spitalin Covid 2. Më datë 2 shtator, 65-vjeçari nga Klosi, Hasan Mira, është hedhur nga kati i katërt i spitalit, duke ndërruar jetë menjëherë. Ai kishte dy ditë që ishte shtruar te “Shefqet Ndroqi”.
Më datë 1 nëntor, Preng Gjonaj 52 vjeç, pas një jave i shtruar në Sanatorium, në gjendje të rënduar psikologjike, ka vendosur t’i japë fund jetës, duke u vetëhedhur nga lartësia e këtij spitali. Ngjarja ka ndodhur në orën 03.10 të mëngjesit.
Ende pa u bërë 10 ditë nga kjo ngjarje e rëndë, që trondiste për herë të tretë stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithë opinionin publik, një i moshuar që po merrte trajtim për Covid-19, u vetëflijua, duke u hedhur nga kati i dytë i Infektivit.
Më datë 10 nëntor, Reshat Grendi 69 vjeç, shpëtoi pasi u hodh nga kati i dytë i Covid 1, por ndërroi jetë një ditë më pas si pasojë e plagëve të marra.
Ndërsa në datën 30 nëntor 2020, Leonard Skabona nga Rrësheni, i cili kishte 10 ditë i shtruar në spital, është vetëflijuar, ndërsa ndodhej në trajtimin intensiv për shkak të përkeqësimit gjendjes shëndetësore.
60-vjeçari kishte zgjedhur momentin kur lëvizja e stafit mjekësor ishte e reduktuar dhe është hedhur nga kati i tretë i spitalit, duke gjetur vdekjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




