Kosova

Kosova hap Ambasadën në Jerusalem

Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

LEXO EDHE:
– Turqia dhe BE-ja paralajmërojnë Kosovën të mos hapë ambasadën në Jeruzalem
– Tonin Gjuraj: Kosova s’rrezikon tërheqjen e njohjes nga vendet arabe, hapja e ambasadës në Jeruzalem moment jo i lehtë
– “Nëse Kosova hap ambasadën në Jeruzalem, vendet arabe tërheqin njohjen e Pavarësisë”
– Kosova nuk u ka asnjë borxh palestinezëve!
– Vuçiç: Serbia nuk do ta pranojë marrëveshjen Izrael-Kosovë
– BE paralajmëron Kosovën e Serbinë për Jeruzalemin: Rrezikoni anëtarësimin
– Izraeli njeh Pavarësinë, Kosova vendi i parë mysliman që hap ambasadë në Jeruzalem

MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael është Ines Demiri, e cila më 26 shkurt njoftoi përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Pllaka e vendosur në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem

Hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.
Kundërshti kishte shprehur edhe Ambasada turke në Prishtinë si dhe Liga Arabe. Kjo e fundit, i kishte bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim, dhe t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.
Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.
Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë.
Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë