Edhe pse nënshkroi një pakt me ish-presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka sinjalizuar se Beogradi nuk do të reskpetojë pjesën e tij të marrëveshjes.
Pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, Vuçiç tha Beogradi nuk është aspak i kënaqur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, dhe se një akt i tillë nuk do të ketë ndikim pozitiv në raportet e Serbisë me Izraelin.
“Kjo ka qenë e pritur që gjashtë muaj. Për këtë arsye ne në Uashington (më 4 shtator 2020) nuk kemi dashur të nënshkruajmë një dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët. Nuk kemi dashur të inkurajojmë, por të dekurajojmë që Izraeli të bëj një veprim të tillë, por ja që Izraeli vendosi që Amerika është më e rëndësishme”, tha Vuçiç.
Kosova dhe Izraeli formalizuan në një ceremoni virtuale vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi ranë dakort mes të tjerash që Kosova të hapë së shpjejti ambasadën e saj në Jeruzalem.
Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit e arritur në Uashington.
Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte një nga pikat e kësaj marrëveshje, e cila ishte nënshkruar nga Hoti, Trump dhe Vuçiç. Por sipas presidentit serb, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, asnjë vend mysliman nuk do të dëshirojë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me bisedimet që ka pasur me presidentin francez, Vuçiç tha se ai beson në rolin e rëndësishëm të Macronit dhe Francës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Macron ka ambicie të mëdha dhe e njeh gjeopolitikën në mënyrë të përsosur. Ndryshe nga të tjerët, ai nuk ka frikë të gjejë zgjidhje alternative”, tha Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.