Politike

“Nëse Kosova hap ambasadën në Jeruzalem, vendet arabe tërheqin njohjen e Pavarësisë”

Nëse zyrtarizohet njohja që Izraeli i ka premtuar Kosovës, do të ishte një prej njohjeve më të rëndësishme të Pavarësisë pas një periudhe të gjatë, ku përpjekjet e diplomacisë së Prishtinës kanë pasur pak, ose aspak sukses.

Por, me premtimin e dhënë për hapjen e Ambasadës në Jeruzalem, Kosova rrezikon që më shumë të dëmtojë sesa të përforcojë pozitat ndërkombëtare në përpjekjet për anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Aktualisht, Jeruzalemin si kryqytet të Izraelit e njohin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Guatemala, ndërkohë që ka një deklaratë të përbashkët të vendeve të Ligës Arabe, sipas të cilës këto vende zotohen të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me vendet që zhvendosin ambasadat e tyre në Jeruzalem.

Por, Kosova nuk rrezikon vetëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Duke qenë se ajo nuk është anëtare e OKB-së ekziston rreziku që vende të caktuara myslimane, që sot e kanë njohur Pavarësinë e saj të kthehen një hap pas dhe të revokojnë këtë njohje. Paralajmërimi është dhënë edhe nga përfaqësuesi i Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan.

Mohamed Nabhan

“Ka një vendim të qartë të Ligës Arabe, që thotë se nëse një vend vendos të hapë ambasadën në Jeruzalem, marrëdhëniet do të ndërpriten. Në rastin e Kosovës ekziston rreziku që shumë vende të tërheqin njohjen e Pavarësisë”, deklaroi Nabhan për BBC në serbisht.

Ambasadori palestinez në Beograd shpreson që as Serbia të mos e hapë ambasadën në këtë qytet, ashtu siç është rënë dakord në marrëveshjen që ranë dakord Aleksandër Vuçiç dhe Avdullah Hoti përpara Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Nabhan i kujton Serbisë se ka një rezolutë të OKB-së për Jeruzalemin dhe nëse Beogradi vendos ta injorojë atë, atëherë do të krijohej precedenti, sipas tij, që vende të tjera të injorojnë rezolutën 1244 që ka të bëjë me statusin e Kosovës.

“Ne shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë dhe Serbia do të distancohet nga ajo marrëveshje sepse shkel rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit dhe hap mundësinë për të tjerë që të shkelin edhe rezolutat e tjera”, tha Nabhan, duke nënkuptuar rezolutën 1244 mbi bazën e të cilës është bazuar e gjitha diplomacia serbe në kundërshtimin e Pavarësisë së Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë