Të lodhur nga zënkat dhe ndarjet e herëpashershme, një çift ukrainas gjeti një zgjidhje të pazakontë për të qëndruar bashkë. Alexandr Kudlay, 33 vjeç dhe Viktoria Pustovitova, 28 vjec, në Ditën e Shën Valentinit, vendosën të prangosnin duart së bashku për tre muaj dhe filluan të dokumentonin përvojën e tyre në mediat sociale.
“Për sa i përket komoditetit fizik, me kalimin e çdo dite, ne po mësohemi gjithnjë e më shumë. Bëhet më e lehtë,” tha Kudlay në banesën e tyre në qytetin lindor të Kharkiv. Ai erdhi me idenë pasi Pustovitova tha që ajo donte të ndahej me të.
“Ne zakonisht ndaheshim një ose dy herë në javë. Kur gjatë një përleshjeje tjetër Vika tha edhe një herë se duhet të ndaheshim, unë u përgjigja: ‘Atëherë unë do të të lidh me veten time.”
Pustovitova refuzoi idenë e tij në fillim, duke mbyllur telefonin në herën e parë që ai e sugjeroi atë, por si përfundim ndryshoi mendim. Për gati një muaj tani, asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë hapësirë personale dhe ata bëjnë gjithçka së bashku, që nga blerja e ushqimeve te pirja e cigareve.
“Mendova që do të jetë një përvojë interesante për mua, që do të sjellë në jetën time emocione të reja të cilat nuk i kam provuar më parë,” tha Pustovitova.
Tani ata postojnë imazhe të tyre në Instagram duke portretizuar një bashkëjetesë idilike, të plotë, me mbishkrime që theksojnë rëndësinë e respektit dhe mirëkuptimit reciprok. Ata gjithashtu kanë dalë nëpër emisione në televizionet ukrainase.
Sa i përket marrëdhënies së tyre, “ka pasur disa tensione midis tyre”, por çifti thotë se kanë gjetur mënyra të reja për të trajtuar mosmarrëveshjet.
“Përleshjet midis nesh nuk u zhdukën, ne ende luftojmë. Por kur i afrohemi një ndarjeje të mundshme dhe nuk ka asnjë mirëkuptim midis nesh, ne thjesht ndalojmë së foluri në vend që të paketojmë gjërat tona dhe të largohemi”, tha Kudlay.
Reagimet e publikut ka qenë një përzierje lavdërimesh, skepticizmi dhe kurioziteti të thjeshtë. Komentet në Instagram variojnë nga “Çifti i Bukur” deri te “A mund të më shpjegojë dikush për çfarë po e bëjnë këtë?”. Ndër pyetjet më të shpeshta është se si çifti shkon në tualet. Përgjigja: Tjetri duhet të presë jashtë me një dorë që mbetet brenda banjës. Ata bëjnë dush me radhë.
Burimi: Reuters. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)















