Mbyllen dy duelet e orës 13:00 të Kategorisë Superiore. Vllaznia humbi 1-2 takimin shtëpiak kundër Bylisit, teksa Kukësi-Apolonia përfundoi në barazim 1-1. Vllaznia nuk di të fitojë, teksa kësaj here ndalet edhe nga Bylisi e cila e ka surprizuar në “Loro Boriçi” ku fiton me përmbysje me rezultatin 1-2. Ndaj Bylisit ishte ndeshja e pestë pa fitore dhe ekipi shkodran pritet të humbasë kreun e renditjes pas një kohe të gjatë.
Vendasit e nisën mirë ndeshjen, me Haris Dilaver që kaloi Vllazninë në avantazh në minutën e 14-të, por ekipi ballshiot nuk u dorëzua dhe siguroi tre pikë të rëndësishme për objektivin mbijetesë falë rrjetave të Renato Spahiut dhe Anthony Beji në çerek orëshin e fundit. Sfida u mbyll me protestat e shkodranëve ndaj gjyqtarit Beqiri, ndërkohë Vllaznia pas kësaj disfate është zyrtarisht në krizë, teksa pas kësaj humbjeje renditet e para në kuotën e 42 pikëve, ndërsa Bylis renditet në vendin e 8 në kuotën e 22 pikëve.
Tjetër rezultat negativ për Kukësin. Skuadra verilindore nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në “Elbasan Arena” ndaj Apolonisë. Një përballje ku nuk mungoi kartoni i kuq, penalltia si dhe golat.
Skuadra e Mirel Josës e pa veten në avantazh në fundin e pjesës së parë duke qenë se Agim Ibraimi shndërroi në gol një penallti, ndërkohë që vetëm dy minuta më parë, verilindorët kishin mbetur me 10 futbollistë pas përjashtimit të Bytyçit si pasojë e një ndërhyrje ndaj Gjatës. Skuadra fierake reagoi në pjesën e dytë dhe evitoi humbjen katër minuta nga fundi. Mario Gjata gjeti rrjetën, duke i dhuruar një pikë të mirë Apolonisë, që regjistroi barazimin e katërt radhazi. Gara për mbijetesën vazhdon, teksa Kukësi i Josës nuk fiton prej 5 ndeshjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




