Biznes

Bizneset e shërbimeve mund të përdorin faturat tatimore “Porosi” dhe “Përmbledhëse”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit që kryejnë aktivitet në sektorin e shërbimeve, se tashmë subjektet mund të përdorin “faturat tatimore Porosi” dhe “faturat tatimore Përmbledhëse”.

Lëshimi dhe fiskalizimi i faturës së porosisë duhet të bëhet në të njëjtin moment me furnizimin e porosisë së klientit dhe në momentin e largimit të tij.

Në momentin e kryerjes së pagesës, tatimpaguesi duhet t’i lëshojë klientit një faturë përmbledhëse dhe duhet ta fiskalizojë atë.

Nëse klientët nga e njëjta tavolinë kryejnë porosi të tjera, atëherë me dorëzimin e çdo porosie lëshohet dhe fiskalizohet fatura pasuese e porosisë, e cila mund të mos printohet.

Çdo faturë e veçantë e lëshuar për çdo porosi duhet të ketë si metodë pagese të shënuar “porosi” dhe titulli në faturë duhet të jetë “Faturë tatimore/porosi”.

Vetëm Fatura përmbledhëse e fiskalizuar do të regjistrohet në librin e shitjeve të tatimpaguesit dhe do të merret në konsideratë për qëllim të llogaritjes së TVSH-së në shitje.

Edhe në shërbimet e hotelerisë, procedura e faturimit është e lidhur me momentin e pagesës.

Në rastet kur klienti e rezervon hotelin ose në momentin e mbërritjes së tij në hotel është  arkëtuar parapagim i plotë ose i pjesshëm prej hotelit,  fatura e fiskalizuar me TVSH-në përkatëse do lëshohet në momentin e arkëtimit të parapagimit.

Fatura përmbledhëse lëshohet në momentin kur klienti largohet nga hoteli ndërsa sa u përket shërbimeve shtese që ai mund të marrë gjatë kohës së qëndrimit në hotel, fatura lëshohet dhe fiskalizohet në momentin e pagesës dhe nuk përfshihet në faturën përmbledhëse.

Mund të përdoret “faturat tatimore porosi” në të gjitha rastet kur klienti qëndron për disa ditë në hotel dhe paguan në momentin e largimit.

Faturat porosi nuk ndikojnë në gjendjen e arkës, përsa kohë me këtë dokument nuk arkëtohen para. Momenti i arkëtimit përcaktohet me faturën përmbledhëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë