Para

Tatimet “ndreqin” gabimin, njihen listëpagesat e fasonëve për punonjësit e rinj

Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar biznesin fason se prej datës 11 mars ka zgjidhur problematikën e ngritur nga kjo industri në lidhje me mosnjohjen e listpagesave për një periudhë 3-mujore për punonjësit e marrë për trajnim.

Tatimet nuk kishin njohur këto listpagesa, pra para që shteti derdh tek llogaritë e punonjësve pa përvojë në këmbim të trajnimit dhe përgatitjes së tyre për tregun e punës, prej muajit tetor të 2020 deri në muajin shkurt 2021.

Për këtë problem, Shoqata “Pro-Export Albania” thotë se u ishte drejtuar tatimeve në muajt dhjetor dhe janar, por nuk kishte marrë mbrapsht asnjë reagim. Në fillim të shkurtit, shoqata i dërgoi një letër ministres së Financave, Anila Denaj dhe ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi.

Në këtë letër, fasonët ngrinin shqetësimin se tatimet nuk po zbatonin parashikimet e bëra në një vendim të qeverisë të marrë që në vitin 2015, e që synon nxitjen e punësimit.

“Tashmë janë shumë muaj që sistemi kur bëhen deklarimet e listëpagesave nuk lejon aplikimin e kësaj VKM me kontribut minimal të deklaruar në shumën 78 lek. duke parë kostot dhe krizën që sektori yne po kalon, por mbi të gjitha pakënaqësitë e sektorit fason/prodhues të veshjeve dhe këpucëve”, thuhej në letër.

Në fund të muajit shkurt, Gazeta “Si” u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në lidhje me këtë shqetësim të ngritur nga fasonët. Tatimet thanë se mospranimi i listëpagesave ishte një gabim dhe se është marrë vendimi për ta ndrequr këtë gabim, por nuk iu përgjigjën kërkesës së Gazetës për të mësuar se për sa punonjës në total bëhet fjalë dhe sa është vlera monetare e munguar për llogaritë e punonjësve të rinj.

“Do të implementohet në sistem. Kur të implementohet e gjitha, do të mund të dalim me shifra konkrete”- u përgjigjën tatimet. Por, burime të Gazetës Si thanë se bëhet fjalë për një shumë prej të paktën 300 mijë eurosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë