Ka ndodhur

Tiranë, shpërthim tritoli në makinën e prokurorit Arjan Muça

Pasditen e sotme i është vënë tritol makinës së prokurorit të Gjirokastrës Arjan Muça te Komuna e Parisit në Tiranë! Shpërthimi me tritol në makinën Mercedez A Class në pronësi të prokurorit ka ndodhur kur mjeti  ka qenë i parkuar në parkimin e qendrës tregtare Kristal.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar në këtë ngjarje, ndërkohë policia ndodhet në vendngjarje. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, duke folur për ngjarjen tha se fatmirësisht nuk ka të lënduar.

“Benzi i përket një prokurori të komanduar i KLP-së, Arjan Muça. Aktualisht po kryhen veprimet. Mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Ky automjet përdoret nga ky prokuror. Prej një periudhë 2-vjeçare parkohet pranë kësaj qendre“, tha në një dalje për mediat, kreu i policisë së Tiranës.

Arjan Muça është një emër i njohur, pasi ka qenë shefi i Operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në 7 gusht 2009, ku për pasojë mbetën të vdekur 4 policë. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit me në krye Arjan Muçën, ndërhynë në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Më pas Muça është emëruar prokuror në Gjirokastër, ndërkohë që muajt e fundit është komanduar në Tiranë te Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Arjan Muça është bashkëshorti i Gentiana Muçës, e cila është gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës, ndaj policia po heton nëse ngjarja lidhet edhe me detyrën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë