Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u mblodh mbrëmjen e sotme për të analizuar sjelljet jo sportive të konstatuara gjatë fundjavës në aktivitetet futbollistike në vend. Kështu presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj është dënuar me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti, për shkak të sjelljes jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, gjatë sfidës mes mallakastriotëve dhe Teutës.
Agresiviteti i treguar ndaj zyrtarëve të ndeshjes, fyerjet dhe presioni ndaj tyre, i kanë kushtuar tetë ndeshje përjashtim nga presidenti i mallakastriotëve Besnik Kapllanaj. “Për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti” shkruhet në motivacionin e Disiplinës. Në bazë të nenit 19 të KDS, Kapllanajt i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës. Nuk ka përfunduar me kaq, sepse edhe klubi i KF Bylis, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrimeve për organizimin e ndeshjes, është dënuar me 100 mijë lekë gjobë
Ndërkohë po në Kategorinë Superiore, Vllaznia është paralajmëruar për mos përmbushjen e përgjegjësive, në lidhje me zbatimin e Protokollit Sanitar të miratuar nga FSHF-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




