Ka ndodhur

Seanca për gjyqtaren Enkeleda Hoxha, KLGJ vendos për shkarkimin më 17 mars

KLGJ ka vendosur të shtyjë vendimin për shkarkimin ose jo të gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, në datë 17 mars, në orën 10:00.

Të gjitha palët kanë paraqitur konkluzionet e tyre në këtë seancë, ndërkohë që ato nuk janë tërhequr nga pretendimet e tyre.

Avokati i Hoxhës, ka thënë se pretendimet ndaj gjyqtares së Krujës nuk përbëjnë vërtetësi për shkarkimin nga detyra, por marrjen e një mase tjetër.

Më herët, kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, vlerësoi se gjatë këtij procedimi disiplinor rezulton e provuar se Hoxha ka ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.

Sipas tij, gjyqtarja Enkeleda Hoxha, nuk ka marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes, duke cenuar parimin e paanësisë së gjykimit.

Po ashtu, rezulton se, magjistratja ka aplikuar ulje dënimi për periudha më të gjata se periudha 12 mujore e vlerësimit të parashikuar në Ligjin nr. 8328/2008 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar.

Metani vëren se gjyqtarja nuk ka respektuar kriteret ndaluese për përfitim amnistie. Dhe, në 5 procese gjyqësore është konstatuar mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.

Kështu, ILD kishte arritur në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha, “janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.”

ILD kërkoi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që  të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor. 

Për këtë, u kërkua që KLGJ të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj Hoxhës.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar më herët masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për shtetasen Enkeleda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë