Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, në një deklaratë për mediat bëri një bilanc se si janë përballur bizneset shqiptare me pandeminë dhe se si parashikohet që të përmirësohet klima e tyre.
Pandemia i goditi bizneset shqiptare ku shumë prej tyre u mbyllën dhe të tjerë ishin shumë afër falimentit.
Jaço nënvizoi faktin se legjislacioni në vendin tonë është ende i papërgatitur dhe se tani ka ardhur koha për financime të reja alternative për të mbështetur biznesin.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të ndërmerren disa mekanizma dhe sanksione kundër luftës ndaj korrupsionit për të ngushtuar hapësirën e abuzimit me fondet publike.
Të dhënat e Dhomës Amerikane të Tregtisë nuk tregojnë për një rritje të korrupsionit, por megjithatë, sipas Enio Jaços, korrupsioni mbetet kërcënimi më i madh i të ardhurës së ekonomisë në Shqipëri.
Ai deklaroi që janë disa institucione ndërkombëtare të cilat janë të gatshme të punojnë mbi axhendën antikorrupsion në Shqipëri, ku citoi “USAID” i cili ka bërë një donacion prej 5 milionë dollarësh.
Në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë rekomandoi gjithashtu që të modernizohej sistemi i taksave, të fuqizoheshin sportet shqiptare dhe të mbështeteshin me politikat e duhura, të fuqizohej ekonomia digjitale si dhe të riorientoheshin aftësitë e forcës së punonjësve.
Ndër të gjithë potencialet që ka Shqipëria për të patur një ekonomi sa më të zhvilluar, Jaço përmendi ndër të tjera 2 të reja të mundshme që janë Europa dhe SHBA-ja.
“Hapja e negociatave me BE është një mundësi e mirë për bizneset shqiptare. Një mundësi tjetër e mirë është marrëveshja ekonomike mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Për të mos u ndalur vetëm tek ndërtimi i hidrocentralit të “Skavicës” por për të shënuar një fillim të investimeve amerikane në Shqipëri. Ka ardhur koha që t’i maksimizojmë ato” u shpreh ai.
Pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit, Jaço deklaroi që këto propozime do t’u dërgohen të gjitha forcave politike pasi edhe realizimi i tyre do të shtrihet në një kohë më të gjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.