Një nënë e re po verifikohet nga autoritetet për vrasjen e foshnjës, të cilën e dërgoi në urgjencë në spital, por foshnja ndërroi jetë rrugës dhe sipas mjekëve qe e pamundur të shpëtojë. Por gruaja këmbëngul se e kishte zënë gjumi gjatë kohës që po ushqente fëmijën dhe me shumë mundësi e ka mbytur pa dashje. Por për t’u bindur që ky është version i vërtetë, policia nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëna ta ketë mbytur foshnjën, ndaj po e heton edhe pistën e vrasjes së foshnjës. Një burim zyrtar pranë Gazetasi.al shpjegoi ekskluzivisht detajet kontradiktore, mbi të cilat do të hetohet derisa të sqarohet situata dhe pozicioni i nënës së re.
Ngjarja u njoftua nga salla operative që u telefonua nga mjekë të maternitetit Mbretëresha Geraldinë. “Një foshnjë dhjetëditëshe u soll e pajetë në spital, ejani të kryeni veprimet”, ishte kërkesa e mjekëve, të cilët nga ana e tyre duan të jenë sa më në rregull me ligjin. Bëhet me dije nga i njëjti burim se veç kryerjes së veprimeve si këqyrje dhe ekspertim janë marrë edhe dëshmitë mes tyre e nënës dhe të të afërmve që ndodheshin në banesë.
Mjekët e pyetur nga policia tregojnë në dëshminë e tyre se foshnjën e sollën dy femra, njëra është prezantuar si e ëma dhe tjetra si kunata e saj. “Foshnja në momentin e mbërritjes kishte marrë ngjyrë blu, ishte pa respiracion dhe me njolla kufomore në trup dhe pa shenja dhune”, thekson në dëshmi mjekja.
Por e ëma e pyetur nga policia me inicialet E. L. këmbëngul se po i jepte qumësht fëmijës kur e kunata e ka zgjuar teksa gjoksi i saj mbante mend që ishte mbi fytyrën e foshnjës.
“Foshnja ka lindur në gjendje të mirë. Në darkë u shtriva në krevat së bashku me fëmijën për t’i dhënë gji. Në momentin që fëmija po pinte, duhet të më ketë zënë gjumi, pasi isha e lodhur duke qenë se kam fëmijë të tjerë për të rritur dhe ju kam shërbyer tërë ditën dhe bashkëshortin nuk e kisha në shtëpi. Mbasi kam fjetur mbase për disa orë, në dhomë ka ardhur dhe më ka zgjuar kunata, e cila kishte vënë re që fëmijës i kishte dalë gjak nga goja. Kunata njoftoi ambulancën, dhe infermierja më tha se foshnja ka ndërruar jetë. Mbaj mend se në çastin që u zgjova gjoksi im ishte mbi fytyrën e fëmijës”, tha nëna.
Të njëjtat rrethana tregon dhe kunata që si nëna edhe ajo përfundoi në polici për t’u pyetur shpjegojnë burimet zyrtare të Gazetasi.al.
“Shkova në dhomën e E. për të pirë kafe dhe vura re që djali kishte gjoksin e E. në fytyrë. E zgjova dhe vura re që fëmija kishte gjak në gojë dhe të nxira. Mendoj që vdekja e djalit ka ardhur nga bllokimi i frymëmarrjes së foshnjës në momentin që e ëma po e ushqente, por që e kishte zënë gjumi”, mbyll shpjegimet e saj gruaja që është në rolin e dëshmitares.
Por me gjithë këto dëshmi dhe dyshimin kryesor që mund të ketë ndodhur aksidentalisht nga pakujdesia e nënës, policia ka dyshime të tjera shtesë dhe sipas burimeve zyrtare çështja gjendet aktualisht në dorë te hetuesve për dyshimet e vrasjes së foshnjës, sipas nenit 81 të kodit penal. Por grupi hetimor u tregua mjaft i rezervuar dhe nuk hodhi dritë se përse dyshon për këtë pistë dhe cilat janë indiciet e mundshme. “Nuk mund të shtojmë asgjë mbi këtë çështje, meqenëse kjo ngjarje është mjaft sensitive dhe derisa të sqarohet nëse është aksidentale apo me dashje, do të ruajmë sekretin hetimor”, tha njëri nga anëtarët e grupit të hetimit për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



