Futboll

Agnelli: Futbollit i duhet ndryshim, 40% e të rinjve nuk kanë interes

Gjatë ditëve të fundit u mbajt Asambleja e 25-të e shoqatës së klubeve. Presidenti i saj, Andrea Agnelli, njëkohësisht drejtuesi i klubit të Juventusit mbajti një fjalë të gjatë, ku më shumë u përqendrua në krijimin e Superligës Europiane. Agnelli u shpreh se ky kompeticion i përshtatet tifozëve modernë, të cilët janë tifozë më përzgjedhës dhe ndjekin vetëm ekipet e mëdha, apo lojtarët e preferuar. Ai gjithashtu vuri alarmin për tifozët e rinj, që po pakësohen çdo ditë e më shumë.

“Së pari duhet të kemi tifozët në qendër të vëmendjes. Sistemi aktual i kompeticioneve nuk është bërë për tifozët modernë. Hulumtimet tregojnë se 1/3-ta e tyre ndjekin ta paktën 2 ekipe. 10% e tyre ndjekin lojtarët e preferuar, jo klubet. 40% e grupmoshës 16-24 vjeç nuk kanë asnjë interes për futbollin sot”, u shpreh Agnelli.

Ai gjithashtu foli për ndikimin e pandemisë Covid-19 në Futboll. “Bashkëpunimi dhe uniteti na bënë që të përballojmë sezonin dhe të menaxhojmë pandeminë”. Megjithëse nuk jemi më në krizë të plotë, ne jemi akoma shumë të ndikuar nga efektet e vazhdueshme të pandemisë COVID. Nuk po kemi tifozë në stadiume dhe të ardhurat tona vazhdojnë të ndikohen rëndë”, tha Andrea Agneli.

“Humbjet në të ardhura janë në mes të 6.5 dhe 8.5 miliardë euro gjatë dy sezoneve, rreth 360 klube të ligave të para kanë nevojë për një infuzion të një shume rreth gjashtë miliardë euro. COVID-19 ka paraqitur probleme serioze mbi qëndrueshmërinë e biznesit tonë dhe modelit të qeverisjes”, vazhdoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë