Shkencë

Covid-19/ Çfarë ndodh kur një person infektohet njëkohësisht me dy variante?

Shkencëtarët në Brazil kohët e fundit raportuan se dy njerëz ishin infektuar njëkohësisht me dy variante të ndryshme të SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19. Ky bashkë-infeksion dukej se nuk kishte asnjë efekt në ashpërsinë e sëmundjes së pacientëve dhe të dy u rikuperuan pa pasur nevojë të shtroheshin në spital. Megjithëse ky është një nga disa rastet e tilla të regjistruara me SARS-CoV-2, shkencëtarët kanë vërejtur infeksione me shtame të shumta me viruse të tjera të frymëmarrjes, të tilla si gripi. Kjo ka ngritur pikëpyetje se si këto viruse mund të bashkëveprojnë në një person të infektuar dhe çfarë mund të nënkuptojë për gjenerimin e varianteve të reja. Viruset janë zotërues të evolucionit, duke u mutuar vazhdimisht dhe duke krijuar variante të reja me çdo cikël replikimi. Presionet selektive në strehues, siç është përgjigjja jonë imune, gjithashtu i shtyjnë këto përshtatje. Shumica e këtyre mutacioneve nuk do të kenë një efekt të rëndësishëm në virus. Por ato që i japin avantazh virusit për shembull, duke rritur aftësinë e tij për të kopjuar ose shmangur sistemin imunitar, janë arsye për shqetësim dhe duhet të monitorohen nga afër. Ndodhja e këtyre mutacioneve varet nga makineria e replikimit e prirur për gabime që përdorin viruset. Viruset ARN, të tilla si gripi dhe hepatiti C, gjenerojnë një numër relativisht të madh të gabimeve sa herë që replikohen. Kjo krijon një “shumllojshmëri -speciesh” të popullatës së virusit, më tepër si një tufë virusesh, secila me sekuenca të lidhura, por jo-identike. Ndërveprimet me qelizat pritëse dhe sistemin imunitar përcaktojnë frekuencat relative të varianteve individuale dhe këto variante bashkëjetuese, mund të ndikojnë në përparimin e sëmundjes ose në mënyrën sa funksionojnë trajtimet. Krahasuar me viruset e tjerë të ARN-së, koronaviruset kanë shkallë më të ulët të mutacionit. Kjo sepse ato janë të pajisura me një mekanizëm korrigjimi, që mund të korrigjojë disa nga gabimet që ndodhin gjatë replikimit. Zbulimi i varianteve të shumta në një person mund të jetë rezultat i bashkë-infeksionit nga variante të ndryshme, ose gjenerimi i mutacioneve brenda pacientit pas infeksionit fillestar. Një mënyrë për të diskriminuar këto dy skenarë është duke krahasuar sekuencat e varianteve që qarkullojnë në popullatë me ato të pacientit. Në studimin brazilian të përmendur më lart, variantet e identifikuara korrespondonin me linja të ndryshme që ishin zbuluar më parë në popullatë, duke nënkuptuar bashkë-infektimin nga të dy variantet.

Ky bashkë-infeksion ka hapur shqetësimet e SARS-CoV-2 që merr mutacione të reja edhe më shpejt. Kjo sepse viruset koronavirus gjithashtu mund të pësojnë ndryshime të mëdha në sekuencën e tyre gjenetike nga një proces i quajtur rekombinim. Kur dy viruse infektojnë të njëjtën qelizë, ata mund të shkëmbejnë pjesë të mëdha të gjenomeve të tyre me njëri-tjetrin dhe të krijojnë sekuenca krejtësisht të reja. Ky është një fenomen i njohur në viruset ARN. Variantet e reja të gripit gjenerohen nga një mekanizëm i ngjashëm i quajtur “ri-klasifikim”. Genomi i virusit të gripit, ndryshe nga koronavirusi, përfshin tetë segmente ose fije të ARN-së. Kur dy viruse infektojnë të njëjtën qelizë, këto segmente përzihen dhe përputhen për të prodhuar viruse me një kombinim të ri të gjeneve. Me koronavirusët, të cilët përmbajnë vetëm një fije ARN në secilën grimcë virusi, rekombinimi mund të ndodhë vetëm midis fijeve të ARN që rrjedhin nga një ose më shumë viruse në të njëjtën qelizë. Provat e rekombinimit janë gjetur si në laborator ashtu edhe në një pacient të infektuar me SARS-CoV-2, duke treguar se kjo mund të nxisë gjenerimin e varianteve të reja. Në fakt, aftësia e SARS-CoV-2 për të infektuar qelizat njerëzore është propozuar të jetë zhvilluar përmes rekombinimit të proteinës spike midis koronavirusëve të kafshëve të lidhura ngushtë. Është e rëndësishme të theksohet se kjo kërkon që të dy viruset të infektojnë të njëjtën qelizë. Edhe nëse një person është i infektuar me disa variante, nëse replikohen në pjesë të ndryshme të trupit, ata nuk do të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Provat e deritanishme nuk tregojnë që infeksioni me më shumë se një variant çon në sëmundje më të rëndë. Dhe megjithëse është e mundur, janë raportuar shumë pak raste të bashkë-infektimit.
Burimi: The Conversation /Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë