Nga Fatjon Rupi – “Jemi ekip për titull”, – ka përsëritur disa herë trajneri Edi Martini, edhe kur Teuta ka qenë shumë prapa kreut me pikë. Tani skuadra e tij është vetëm 1 pikë larg Vllaznisë kryesuese, ka 40 pikë në 22 javë dhe ka shanse reale për titullin kampion, që në Durrës do të kthehej pas 27 vitesh. Të vetmin titull në histori durrsakët e kanë fituar në sezonin 1993-1994.
Kapiteni i Teutës, Renato Arapi, në një intervistë për Gazeta Si, pohon se mundësitë e titullit janë të mëdha, por pranon se lufta është e fortë mes 4 pretendentëve, ku veç Teutës fut Vllazninë, Laçin dhe Partizanin.

Teuta vetëm 1 pikë larg kreut. Sa shanse ka kjo skuadër për të sjellë titullin kampion në Durrës?
Shanset janë sa të mëdha, aq të vogla, sepse në këtë moment që flasim janë 4 ekipe që luftojnë për titullin kampion dhe gara sa vjen dhe bëhet më e vështirë. E rëndësishme për ne është që në çdo ndeshje të hyjmë për të marrë maksimumin.
Edhe kur keni qenë shumë pikë larg kreut, sërish keni deklaruar se jeni për titull, sidomos trajneri Martini. Nga buronte ky besim?
Po është diçka që ne e kemi shprehur hapur që në fillim të sezonit dhe kemi marrë shkas nga grupi I futbollistëve që kishte ekipi jonë, plus edhe ata që u afruan në merkaton e verës. Që në verë ishim një grup shumë premtues dhe cilësor.

Cilat janë pikat më të forta të skuadrës, çfarë ka më shumë Teuta se të tjerët?
Nuk e di gjendjen e klubeve të tjera brenda ekipit të tyre, por për Teutën mund të them që është padiskutim një nga ekipet me harmoninë me të mirë dhe ky është sekreti i këtij ekipi, që të gjithë janë për të njëjtin qëllim dhe punojnë si një trup i vetëm.
Jeni mbrojtja më e mirë me 10 gola të pësuar. Sekreti?
Në fakt, e kam thënë dhe herë të tjera që ne pësojmë pak, sepse mbrojmë mirë të gjithë si ekip, por duhet theksuar dhe fakti që ekipi jonë ka shumë lojtarë me experience, që në momente të veçanta dinë të marrin vendimet e duhura.
Sipas jush, kush është rivali kryesor i Teutës dhe pse?
Mendoj që të 4 ekipet që ndodhen në vendet e para janë pretendentë, sepse jo më kot pas 22 ndeshjesh kanë vetëm një pikë diferencë nga njëri-tjetri.

Si një nga lojtarët me më shumë përvojë dhe kampion me Skënderbeun, çfarë do t’i këshillonit ekipit për pjesën e mbetur të kampionatit?
Në fakt, kemi hyrë në një pjesë shumë të rëndësishme të kampionatit, ku edhe lodhja fillon të ndjehet, ajo që do t’i thosha ekipit është që të mundohen të rikuperojnë sa më shumë dhe mos të mendojnë fare për ndeshjet e ekipeve të tjera, thjesht të vazhdojmë me të njëjtin angazhim dhe të jemi sa më të qetë.
Kohët e fundit ka shumë kontestime për gjykimet. Ju si mendoni?
Unë mendoj që ka pasur shumë gabime për shkak të performancës së tyre dhe shoqata e arbitrave thjesht duhet të jetë më kërkuese ndaj tyre, në mënyrë që arbitrimin ta marrin seriozisht dhe ta bëjnë në mënyrë profesionale.

Një mesazh për tifozët durrsakë?
Do të donim shumë që të gjithë këtë sezon t’i kishim pasur në stadium, por që siç dihet, pandemia i ka lënë pas dyerve të stadiumit. Ne si ekip u premtojmë që deri në ndeshjen e fundit do të japim maksimumin për të arritur atë që të gjithë ne po e presim prej vitesh, titullin kampion.
Në gjykimin tuaj, kush është sulmuesi më i rrezikshëm i kampionatit?
Ka disa sulmues në fakt, por në këtë moment s’do të më pëlqente që të veçoja ndonjë emër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.