Libra

“Një jetë me ty, të pandarët”, kujtimet familjare të Luljeta Bozos

Një ndër emrat më të vlerësuar akademikë në Shqipëri në fushën e inxhinierisë dhe shkencës dhe një ndër më të kërkuarat në ditët e pastërmetit në Shqipëri, Luljeta Bozo, na paraqet përmes një libri një anë tjetër të saj, atë të një gruaje të suksesshme në familje.

Profesoresha e njohur vjen me librin “Një jetë me ty, të pandarët”, botim i Shtëpisë Botuese Albas, një libër i cili përfshin gjithë jetën e kujtimet e saj familjare.

Libri rrëfen marrëdhënien e një çifti, pikërisht Luljeta dhe Todi, që ecin krah për krah si bashkudhëtarë e bashkëmendimtarë dhe që i kanë dhënë shumë dashuri njëri-tjetrit.

Profesoreshë Bozo thotë për Gazetën “Si” se ideja e këtij libri lindi pas ndarjes së jetës së bashkëshortit të saj, Todit.

“Ideja lindi pas ndarjes nga jeta të të të dashurit tim, me qëllim për t’u lënë diçka të shkruar fëmijëve, nipërve, stërnipërve dhe fisit të madh e miqësisë për jetën tonë të mrekullueshme me Todin”, shprehet ajo, ndërsa thekson se libri është “një pjesë e jetës siç më ka mbetur mua në memorie, pa ditar”.

Kujtimet fillojnë me njohjen e tyre dhe duke vazhduar me ritmin e lartë të jetës, ku shpaloset krijimi i familjes, lindja dhe rritja e fëmijëve, puna si pedagoge, kërkuese e studiuese.

Profesoreshë Bozo thotë se në gjithë këto kujtime e në gjithë librin mesazhi është se mbështetja dhe forca kryesore në rrugëtimin e jetës është familja.

“Pjesa më e veçantë është mesazhi që jap se jeta jetohet kur njeriu ka një qellim në jetë dhe lufton me këmbëngulje duke punuar me pasion për ta arritur atë. Dhe në këtë luftë me të përpjeta e tatëpjeta mbështetja kryesore dhe forca buron nga familja. Familja është baza e çdo suksesi”, shprehet Bozo për Gazetën “Si”.

Profesoreshë Luljeta Bozo ka një kontribut të madh në shkencën e mekanikës së dherave, me 52 vjet aktivitet pedagogjik në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Universitetin Epoka dhe Universitetin POLIS.  Ajo ka shkruar 35 tekste mësimore dhe ka mbrojtur tituj të shumtë e grada shkencore.

Ndërsa Todi Bozo njihet për kontributin e madh në fushën e kulturës, si kineast, regjisor filmash dhe dokumentarësh, një nga drejtuesit e kinostudios “Shqipëria e Re”, producent, pedagog e veprimtar shoqëror.  

Kineasti i mirënjohur, Todi Bozo, u nda nga jeta tri vite më parë në në moshën 84-vjeçare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë