Në 2019-ën u dhanë më pak leje ndërtimi se në 2018-ën për hotele dhe struktura të tjera akomoduese për shfrytëzim turistik, por sipërfaqja e këtyre lejeve ishte më shumë se dyfish më e madhe.
Instat thotë se në 2019 janë miratuar gjithsje 67 leje ndërtimi për hotele, nga 75 leje të miratuara në vitin 2018. Por, sipërfaqja totale e lejeve të dhëna përgjatë 2019-ës ishte 419 mijë metër/katrorë, ose 2,4 herë më shumë se 2018. Kjo do të thotë se në 2019, investimet për qëllime turizmi janë përqëndruar në struktura akomoduese më të mëdha se sa në 2018-ën.
Sipas Instat, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të miratuara ishte rreth 14 miliardë lek, me një rritje 3,6 herë më shumë në krahasim me 2018-ën.
Qarku ku janë përqëndruar investimet më të mëdha është ai i Vlorës, me rreth 27 për qind të totalit të lejeve në rang vendi. Vlera e shtuar e industrive të turizmit është rritur me 18,3 %, krahasuar me vitin 2018, ndërsa pesha që zenë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2019 është 3,23 %.
Ky bum investimesh në turizëm u nxit pjesërisht edhe nga ulja e TVSH-së për turizmin nga 20 për qind në 6 për qind. Vendimi u mor në pranverën e 2017-ës, si përpjekje për të nxitur sektorin e turizmit përballë konkurrencës rajonale, ku kjo taksë në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit është 7 për qind.
Ulja e TVSH-së u kundërshtua fillimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.