Futboll

Partizani dhe Skënderbeu, dy goditjet e fundit

Kur kanë mbetur edhe shumë pak ditë nga fundi i merkatos edhe ekipet e superligës shqiptare janë duke bërë goditjet e fundit. Dy ditët e fundit klubet më aktive kanë qenë Partizani dhe Skënderbeu. Kryeqytetasit dhe korçarët kanë bërë afrime në repartin e sulmit që deri më tani kishte pasur më shumë nevojë.

Partizani ka firmosur me Hyon-Uk So. Sulmuesi nga Korea e Veriut që ka luajtur edhe me ekipin kombëtar të këtij vendi do të jetë zëvendësuesi i Edgar Çanit te “të kuqtë”. Lajmi është njoftuar përmes faqes zyrtare të Partizanit në rrjetet sociale.

“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me So Hyon-Uk. Mesfushori koreano verior ka nënshkruar sot (dje) një kontratë dy vjeçare me Partizanin. 26 vjeçari i cili regjistron edhe 33 ndeshje me përfaqësuesen e Koresë së Veriut, i bashkohet skuadrës pas një eksperience në Superligën e Bosnjë dhe Hercegovinës”, – shkruhet në faqen zyrtare të Partizanit në facebook.

Hyon-Uk So ka qenë prej disa ditësh në provë dhe e ka kaluar atë me sukses nën vëzhgimin e kujdesshëm të teknikut Skënder Gega.

Sakaq Skënderbeu nga ana tjetër ka afruar një “ish” të Partizanit. Bëhet fjalë për Realdo Filin, i cili ka firmosur me klubin korçar, pasi mbylli aventurën me Kamzën në gjysmën e sezonit të shkuar.

Në njoftimin zyrtarit të skuadrës korçare në facebook shkruhej, “22-vjeçari Realdo Fili pas konkretizimit të marrëveshjes u bashkua me ekipin. Mesfushori do të prezantohet para mediave dhe më pas do të vendoset nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi dhe stafit teknik.

Fili në fjalët e para si lojtarë bardhekuq u shpreh mjaft i kënaqur dhe se do të luftojë për një fanellë titullari.

Si për Partizanin edhe Skënderbeun, këto nuk pritet të jenë afrimet e fundit të kësaj vere, teksa në ditët e ardhshme priten të tjera përforcime, sidomos te skuadra e Skënder Gegës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë