Njerez

Ndërron jetë legjenda e basketbollit, Arben Fagu

Legjenda e basketbollit shqiptar, Arben Fagu ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 65-vjeçare. Një nga ikonat e Partizanit, por edhe basketbollit shqiptar si sportist por sidomos si trajner, mjeshtri i madh i sportit ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rendë. Ai njihet për karrierën e tij të suksesshme në drejtimin e ekipit të meshkujve të Dinamos, por edhe Partizanit. Arben Fagu ishte i biri i Besim Fagut një nga themeluesit e Klubit Partizani, vëllai i legjendës së ‘koshit’ Agim Fagu.

Fagu ishte një personalitet i madh i sportit, një gur themeli i Partizanit të Basketbollit. E filloi karrierën e tij sportive, në moshë fare të re, në ekipin e klubit sportiv Partizani, ekip të cilit nuk iu nda asnjëherë, deri në vitet e fundit të karrierës së tij si trajner.

Arben Fagu, në ekipin e Partizanit, numëron shumë tituj kampion dhe fitues i disa kupave të Shqipërisë. Ai ka kontributin e tij të padiskutueshëm si sportist, në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

Arben Fagu, në karrierën e tij si trajner, shënjon në CV-në e tij rekorde si trajner I ekipit të Partizanit, Dinamos, Studentit dhe Universitetit Amerikan të Tiranës . Së fundmi, karriera e tij si trajner, mbyllet me ekipin të cilit I ka kushtuar jetën.

Trajner i ekipit kombëtar të të rinjve dhe meshkuj të rritur në periudha të ndryshme kohore. Si trajner dhe profesor, do të përgatiste disa gjenerata lojtarësh, të cilët kanë qenë pjesë e ekipeve kombëtare ndër vite.

Profesor Beni, siç do ta thërrisnin të gjithë, ka qenë shembull i një pune të pakursyer në sport dhe në shoqëri. Pasionant dhe i disiplinuar, njohës mjaft i mirë i basketbollit modern dhe aplikues i tij me ekipin për të cilin punoi me shumë përkushtim gjatë gjithë jetës së tij.

Arben Fagu, do të mbahet mend edhe si një kritik mjaft aktiv për problematikën dhe zhvillimin e basketbollit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë