Njerez

Pse të rinjtë janë më të prirur ndaj përdhunimeve në grup?

Krimet seksuale ndaj fëmijëve po bëhen një krimë mbizotërues në Shqipëri. Shumica ndodh nga të rinjtë, të cilët shpesh nuk janë të informuar mbi marrëdhëniet seksuale, kryejnë vepra të tilla pa menduar shumë për pasojat.
Psikologja klinike Arta Naçi citon për Gazetën “Si” autoren feministe Susan Brownmiller, e cila shprehet se dhuna seksuale në grup ka vetëm agresivitet dhe dhunë. Ndërkohë që në atë individuale, dhunuesi mund të provojë kënaqësi seksuale pikërisht pse po e nënshtron femrën, kurse në dinamikën e grupit ndjenjat mbizotëruese janë brutaliteti dhe shfryrja e inatit.
Sipas një raporti të ditëve të fundit nga Organizata jofitimprurëse Barnahus, Child & Youth Policy Hub dhe CRCA Shqipëri, tregohet se numri më i madh i krimeve seksuale ndaj fëmijëve janë kryer nga bashkëmoshatarët e tyre dhe 32% e dhunuesve të fëmijëve që i përkasin grup-moshës nga 14-24 vjeç. Ndërkaq është përcaktuar se një ndër shkaqe kryesore që i nxit këto vepra është edhe varfëria. Në këndvështrimin e Naçit nuk është e thënë që individët që përbëjnë grupin të jenë me profil sadist, psikopatik apo antisocial. Sipas psikologes, ndoshta të vetëm, ata nuk do ta bënin një sjellje të tillë.
“Pra, ka diçka të fshehtë tek ky fenomen që i shndërron këta persona “normalë” lë të themi, në dhunues grupi apo tufe. Pikërisht është fenomeni i “tufës”që nxit këtë sjellje dhune. Të analizosh fenomenin e “tufës” nuk është aspak e lehtë”, thotë Naçi.
Pse kjo grupmoshë është e predispozuar të kryejë këtë sjellje?
Krimi seksual ndaj fëmijëve është ndër më pak të raportuarit në vendin tonë dhe ka një sërë rastesh kur fëmijët abuzohen dhe tregojnë me vonesë, ose jetojnë me këtë traumë gjithë jetën. Ndërkaq nga ana tjetër personat që i kryejnë këto vepra, nuk kanë një arsye të qartë pse i kryejnë.
“Duhet të revokojmë këtu me qindra sociologë e studiues që kanë shpenzuar gjithë jetën e tyre dedikuar dinamikave të grupit. Megjithatë sentimentet që janë në bazë të dinamikës së grupit që përdhunon janë dy: Misogjinia dhe “maçizmi”. Mizogjinia – sjellje kundërshtuese ose repulsive kundrejt gruas. Maçizmi (të fortët) – ekzibicion i ekzagjeruar i virilitetit nisur nga bindja se meshkujt janë superiorë ndaj femrave. Nën këto dy ide bazë, mizogjini dhe maçizëm, femra është objektivi kryesor. Pra, sipas tyre ajo meriton përçmimin e grupit, nënvleresimin dhe si e tillë shihet si objekt përdorimi, si një gjë pa ndjenja”, thotë Naçi.

Arta Naçi, psikologe klinike

Psikologja shpjegon më tej se të gjitha statistikat referojnë se përdhunuesit në grup janë adoleshentë dhe shumë të rinj, ndërsa përdhunuesit individualë janë më të rritur. Sipas saj, faktori “moshë anagrafike”: është shumë i rëndësishëm. Sensi i përkatësisë se një grupi është shumë më i fortë si nga këndvështrimi i reputacionit ashtu edhe në terma emocionalë (të pranuarit). Psikologja shpjegon se aspektet kulturore-seksiste janë më intensive edhe për shkak të mos eksperiencës.
“Edhe morali – po të shohim – “zbutet” ose “tretet” në dinamikën e grupit. “Grupi më mbron”, mendojnë dhunuesit. Madje ata shpresojnë shumë që t’ia hedhin edhe dënimit pikërisht sepse shpërndahet përgjegjësia. Shtojmë këtu se drogërat, “tymosja” dhe alkooli nuk bëjnë gjë tjetër veçse i amplifikojnë këto impulse disfunksionale dhe ulin nivelin e kontrollit që çdo subjekt do të mund të ushtronte po të ishte vetëm”, shton më tej psikologja.


Naçi shpjegon se kjo gjë nuk mund të analizohet apriori pa ditur më shumë për dinamikat e rasteve, por sipas saj nuk përjashtohet edhe efekti emulativ, që është efekti “të bëjmë siç bëjnë të tjerët për të mos ngelur mbrapa dhe për t’u treguar dhe më të fortë”.
“Të gjithë mund të ëndërrojmë një botë me meshkuj që nuk ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe me gra që nuk i falin ata që përdorin dhunë kundër tyre, por duhet të ëndërrojmë mbi të gjitha një botë ku fenomenet e kësaj natyre të marrin përgjigjen e duhur nga ligjvënësit e ligjzbatuesit”, përfundon Naçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë