Politike

Rama: Taksa e sheshtë favorizon të pasurit. Basha: Tallje!

gazeta si

Kryeministri Edi Rama komentoi programin ekonomik të Partisë Demokratike dhe sidomos shtyllën e këtij programi që është taksa e sheshtë në nivelin 9 për qind.

Rama tha se me këtë taksë, të vetmit që përfitojnë janë ata që opozita i quan “oligarkë”.

“Dihet botërisht që taksa e sheshtë është për të pasurit. Vetëm nga taksa e sheshtë oligarkët do të marrin në vit nga buxheti i shtetit mbi 50 milion euro, para të cilat sot i fusin në buxhet si taksë”, u shpreh Rama.

Kryeministri thotë se sot në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe shprehet se Qeveria e tij ka zgjeruar hapësirën e aksesit për kompanitë private që përfshihen në realizimin e punëve publike, duke rritur konkurrencën.

Rama mbrojti edhe partneritetin publik-privat. Ai përmendi si modele suksesi koncesionet e dhëna sipas kësaj skeme në shëndetësi, duke u ndalur tek “Check Up”, i akuzuar si korruptiv nga opozita dhe i paditur në SPAK nga Nisma Thurje. Tjetër model suksesi që mori Rama ishte koncesioni për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Basha nga ana tjetër reagoi duke i cilësuar tallje me qytetarët akuzat se programi ekonomik i Partisë Demokratike favorizon të pasurit. Ai thotë se në 8 vite qeverisjeje, Edi Rama i ka shërbyer vetes dhe ortakëve të tij dhe jo shqiptarëve.

“Shqiptarët duan ndryshim. Ndaj me 25 prill Shqipëria fiton dhe Rama humb”, shkruan Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë