Njerez

Sondazhi: Një në tre persona si nga publiku si nga policia është përfshirë në korrupsion

Një sondazh i fundit mbi korrupsionin në polici i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim bazuar në 1100 të intervistuar nga publiku dhe 250 punonjës të Policisë tregoi një fenomen shumë kompleks se; një ndër tre persona (qoftë nga publiku, qoftë nga punonjësit e policisë) janë përfshirë në raste/praktika korruptive dhe se shkalla e besimit të publikut, dhe vetë Policisë së Shtetit për të luftuar korrupsionin mbetet inkurajues.

70% e të anketuarve nga sondazhi me publikun mendojnë se korrupsioni në polici është ose “shumë i përhapur” ose “i përhapur”. Korrupsioni perceptohet nga publiku si pjesë e sistemit, i përhapur në të gjitha strukturat dhe nivelet e Policisë së Shtetit. Ndërsa 36% e publikut konfirmon besimin se “shumica e punonjësve në PSH janë të motivuar për zbatimin e ligjit”

Pjesa e publikut që mendon se korrupsioni në Polici është serioz ka rënë me 17% në 2020 krahasuar me vitin 2016. Por për të njëjtën periudhë kohe është rritur me 15% përceptimi se në polici korrupsioni është shumë i përhapur.

34% e të intervistuarve thanë se u ishte kërkuar ryshfet nga radhët e policisë. 27% e tyre pohuan se kanë dhënë ryshfet. Ndërkohë, 70% e policëve të anketuar u përgjigjën se nuk u është ofruar asnjëherë ryshfet nga qytetarët.

Vendin e parë për kërkim ryshfeti e mban Krimi Financiar me 42% e të anketuarve, me pas vjen Policia Rrugore me 39% dhe Krimi dhe Migracioni me 35%. Vetëm 9% e të anketuarve deklarojnë se punonjësi i policisë nuk pranoi ryshfet. Dy nga strukturat e Policisë së Shtetit me një përhapje më të ulët të ryshfetit janë  Patrulla e Përgjithshme dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

Nga viti 2014 deri në vitin 2020 shihet një rritje e personave që ofrojnë ryshfet, konkretisht 36.9% e qytetarëve (2020) nga 23% në 2014. 28% e Policisë Rrugore kërkoi ryshfet në krahasim me 21% në 2014.

60% e të anketuarve nga publiku deklarojnë se ryshfeti dhe favorizimet janë forma e korrupsionit që ndodh shpesh/shumë shpesh.

Një në dy qytetarë beson se korrupsioni shfaqet shpesh/shumë shpesh si shpërdorim/abuzim i fondeve dhe pasurive të Policisë së Shtetit.

Një në dy qytetarë beson gjithashtu se korrupsioni është shpesh/shumë shpesh arsyeja që punonjësit e policisë fshehin/ manipulojnë provat ose përdorin forcë të tepruar.

Faktorët me shumë ndikim në nxitjen e korrupsionit, siç raportohet nga sondazhi me publikun, janë: Pranimi në përgjithësi i korrupsionit nga shoqëria/policia;

Ndikimi i politikës; Pagat e ulëta ose kushtet e këqija të punës për punonjësit e policisë (78%); Faktorët që lidhen me kulturën institucionale.

85% e publikut mendon se punonjësi i policisë është tolerant ndaj akteve korruptive 

Sipas sondazhit, mbi 90% e punonjësve të policisë nuk ka denoncuar asnjëherë eprorin për korrupsion dhe deri diku në përqindje as kolegun e tyre apo qytetarin për tentative për korrupsion.

Megjithatë, 65% e të anketuarve raportojnë se e shohin si të mundshme/plotësisht të mundshme që policia të luftojë korrupsionin. Ky besim shfaqet edhe më i fortë tek të rinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë