Politike

Ekspertët e PD: 500 mln euro fatura e programit, gjysma do vijë… nga ulja e korrupsionit

Edhe pse demokratët nuk publikuan faturën financiare për programin ekonomik, që do të zbatojnë nëse fitojnë zgjedhjet e 25 Prillit, Jorida Tabaku dhe Florion Mima, pjesë e grupit të ekspertëve të ekonomisë janë shprehur në daljet publike se gjithçka është e llogaritur. Megjithatë, si Tabaku ashtu edhe Mima janë kakofonë dhe jo bindës mbi mënyrën se si do të gjenerohen paratë për zbatimin e programit.  

Në një intervistë televizive, Tabaku sqaroi se në vitin e parë të qeverisjes, buxhetit të shtetit do i shtohen 250 milionë euro në sajë të taksës së sheshtë 9%.

Ndërsa Florion Mima është shprehur se paketa e PD-së i kushton buxhetit 500 mln euro, ku gjysma e shumës, sipas tij do të sigurohet nga “prerja e duarve të korrupsionit” dhe pjesa tjetër nga “rritja ekonomike”.

Po si do luftohet korrupsioni? “Nëse nuk vjedh kryeministri, nuk vjedhin ministrat, drejtorët, etj. Të shkurajohet korrupsioni duke i kapur ata që fusin duart në arkën e përbashkët dhe duke i bërë shembull. Në të gjitha fushat ka platforma për uljen e korrupsionit. KLSH flet për 7.2 mld dollarë të keqpërdoruara. Këtu është një burim, te tenderat, koncesionet, PPP-të… etj”, tha ai.

Ndërsa dyfishimi i të ardhurave për frymë, sipas Mimës, do të mund të realizohet vetëm në fund të mandatit të dytë qeverisës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë