Ka ndodhur

Ekzekutimi i 32-vjeçarit në Durrës, dyshohet për prishjen e pazareve të drogës

Dalin detaje të reja nga vrasja e 32-vjeçarit Ilir Kuçi, mbrëmjen e kaluar në Durrës.

Dyshohet se i riu është vrarë për prishjen e pazareve të drogës dhe atentatorët e kanë qëlluar 32-vjeçarin, në momentin që ka qenë duke parkuar makinën.

Nga hetimet e policisë rezulton se Ilir Kuçi ka qenë i dënuar në Itali për trafik narkotikësh. Ndaj tij ishin bërë disa denoncime nga qytetarët, të cilët pretendonin se ishin kërcënuar nga Kuçi.

Edmir Begu (Ilir Kuçi) ishte baba i një fëmije, ndërsa rezulton se ishte i papunë.

Dëshmitarët okularë për shkak të kushteve atmosferike nuk kanë fiksuar dot targën e mjetit dhe autorët, por Policia ka sekuestruar kamerat përreth për të mundur identifikimin e autorëve.  

Ndërkohë, për të hedhur dritë mbi motivin, policia ka sekuestruar celularin e viktimës me qëllim analizimin e thirrjeve telefonike apo mesazheve.

Pavarësisht hetimeve, policia ende nuk ka një pistë të qartë mbi motivin dhe aq më pak autorët e ngjarjes, pavarësisht personave të dyshuar.

Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës (24 janar) në lagjen numër 16 në Durrës. Viktima ndodhej pranë makinës se tij kur u qëllua me një breshëri automatiku nga një tjetër automjet.

Nga breshëritë e kallashnikovit, 32-vjeçari u qëllua në këmbë, në kokë dhe në pjesën e kraharorit.

Pas breshërive të armëve, Begu u dërgua menjëherë në spital, por nuk u mbijetoi plagëve, duke ndërruar jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë