Politike

PS, të paktën 12 emra të rinj për deputetë

Partia Socialiste thotë se është në përfundim të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, duke u zotuar se të paktën 12 emra do të mbërrijnë nga të rinjtë e përzgjedhur përmes platformës “Deputeti që Duam”.

“Jam i sigurt që në të gjitha qarqet do të kemi burra e gra, djem e vajza që kanë ardhur nëpërmjet këtij procesi”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Balla foli para mediave në përfundim të një takimi me drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e partisë. Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve thotë se përveç emrave të rinj baza ka votëbesuar edhe deputetët aktualë.

“Kemi marrë një feedback pozitiv nga vlerësimi i deputetëve aktual, mbi të cilën PS do të diskutojë edhe listën përfundimtare. Lista do të jetë uniforme nga kreu i listës deri te i fundit, do të jenë qytetarët ato që do të bëjnë renditjes dhe jam i sigurt që lista do të përcaktohet në disa qarqe nga vetë qytetarët”, u shpreh Balla.

Në lidhje me përgjimet e anti-mafias italiane, Balla thotë se emrat e përmendur në to kanë lidhje me Presidentin Ilir Meta dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Eurodeputeti që përmendet është mik i vjetër i Lulzim Bashës e ka pasur edhe në zyrë e ka takuar edhe në Bruksel, edhe në Vlorë. Ata që janë përmendur me emër i keni në Presidencë dhe miq të kryetarit të opozitës”, deklaroi Balla.

Në këtë takim merrte pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, por ai e shmangu daljen para gazetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë