Oferta e vetme e paraqitur në tenderin e hapur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për realizimin e infrastrukturës së identifikimit elektronik të votuesve është 3 milionë euro më e lartë nga parashikimi fillestar i kostos së këtij projekti.
KQZ ka përfunduar më 14 janar vlerësimin e ofertës ekonomike të dorëzuar nga kompania “Smartmatic International Holding B.V”, që ofroi kryerjen e këtij shërbimi për rreth 20 mln euro. Oferta u kualifikua për në fazën tjetër, atë të negociimit, pavarësisht se në parashikimet e KQZ-së, vetëm për procesin e identifikimit elektronik përllogaritjesh shuma prej rreth 17 mln eurosh.
Tashmë, KQZ do të negociojë me kompaninë në fjalë termat e kontratës dhe nëse këto negociata rezultojnë të suksesshme do të nënshkruhet kontrata dhe do të fillojë procesi përgatitor për identifikimin elektronik të zgjedhësve.
Përveç identifikimit para të tjera do të kërkojë edhe votimi dhe numërimi elektronik. Aktualisht ky proces ka ngecur në vendimmarrje se ku duhen zbatuar dy projektet pilote. Partia Demokratike propozon që njëri projekt të realizohet në Fier dhe tjetri në Korçë, ndërsa Partia Socialiste thotë se koha nuk premton dhe kërkon realizimin e tij vetëm në një KZAZ në Tiranë.
Në varësi të vendimmarrjes së KQZ-së për përmasat e shtrirjes së këtyre projekteve do të jetë edhe kostoja financiare e tij. Fillimisht, KQZ e ka parashikuar këtë kosto rreth 10 mln euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.