Gjykata e Tiranës ka lënë në burg sanitaren e spitalit COVID 2, Tire Alldervishi, e akuzuar për mashtrim pas skandalit me një paciente të këtij spitali, ku i mori vajzës së 55-vjeçares 8 milionë lekë, duke u hequr si infermiere.
Alldervishi me kokën ulur ka pritur vendimin e gjykatës, e cila ka vendosur të lërë në burg 58-vjeçaren.
Mbi sanitaren rëndojnë akuzat për veprën penale të “Mashtrimit”.
Ndërkohë gjyqtarja Rexhina Merlika i ka kërkuar prokurorisë rikualifikimin e veprës penale pasi mashtrimi për të cilin akuzohet është kryer, por ka edhe elementë të veprës penale ku nuk përjashtohet mundësia e “Shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit”. Gjithashtu dyshohet se nuk ka qenë e vetme.
Nga ana tjetër, avokatet e Tire Alldervishit, 58-vjeçares të arrestuar për mashtrim kanë kërkuar një masë më të lehtë sigurimi në seancën e sotme, me afat 1-mujor.
Avokatet kanë deklaruar se klientja e tyre është në gjendje jo të mirë psikologjike dhe ka qenë e prekur me COVID-19, ndaj gjendja e saj nuk është e mirë, teksa kanë paralajmëruar prova që japin një tjetër tablo.
“Ngjarja është e rëndë për opinionin publik. Do kërkojmë hetim të plotë. E mbrojtura prej nesh është në gjendje jo të mirë psikologjike. Ka qenë e prekur me COVID dhe gjendja shëndetësore nuk është e mirë. Kërkojmë një masë më të lehtë me afat 1-mujor. Do të sjellim prova që japin një tjetër tablo”, deklaruan avokatet.
Ato e kanë cilësuar të paligjshëm përgjimin. Vetë sanitarja e spitalit COVID 2, Tire Alldervishi nuk ka dhënë shpjegime.
Rasti i korrupsionit të sanitares Tire Alldervishi, u publikua mbrëmjen e së martës (12 janar). Ajo ishte hequr si infermiere ndaj një vajze, nëna e të cilës ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” ose siç njihet Covid 2, dhe në këmbim të parave pretendonte se kujdesej për të sëmurën.
Denoncuesja është shprehur se i ka dhënë 8 milionë lekë sanitares që të përkujdesej për të ëmën, por edhe të paguante pjesën tjetër të stafit shëndetësor. Mirëpo ndryshe nga ç’pretendonte sanitarja, e ëma e denoncueses disa ditë përpara se të humbte jetën është ankuar për shërbimin, madje edhe se sanitaret i kanë mohuar ushqimin, pasi nuk donin që t’i ndërronin pampersat.
Ngjarja
Denoncuesja ka pasur biseda të njëpasnjëshme që në nëntor me sanitaren që hiqej si infermiere, dhe ajo i dërgonte vajzës së pacientes foto dhe video nga brenda spitalit.
Por gjatë një bisede me një doktoreshë të spitalit ajo konfirmon që Tire Alldervishi është sanitare dhe jo infermiere.
Mamaja e kallëzueses është shtruar tek spitali “Shefqet Ndroqi” më datë 28 nëntor pasi ka rezultuar pozitive me Covid-19.
Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe ka thënë që është infermiere e spitalit. Që në momentin e parë ajo i ka kërkuar një shumë prej 2000 lekësh që ti jepte mamit telefonin. Ajo ka vazhduar t’i merrte para në vazhdim me justifikimin që do ua jepte infermierëve dhe mjekëve që të kujdeseshin për të ëmën.
Ndërkohë vajza ka mesazhet e mamit ku ajo i tregon se nuk po i bëjnë shërbim në spital.
“Mos më le me vdek, jepi lekë ndonjë tjetri. Jam bërë hekur në gojë. S’kam doreza e gërshërë të vogla me pre pampersin se pastrohem vetë”, është një prej mesazheve që e ndjera ka komunikuar me vajzën para se të ndërronte jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




