Capitol Hill, ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, është një nga vendet më të mbrojtura në botë. Simbolin e demokracisë amerikane, për dekada më radhë e kanë shoqëruar demonstrata të mëdha, protesta popullore por pa lejuar kurrë nga policia që Capitol Hill të prekej. Kjo është arsyeja pse mediat e huaja shkruajnë që ajo që ndodhi më 6 janar vë në dyshim drejtpërdrejt policinë e Uashingtonit, Gardën Kombëtare dhe mbi të gjitha, ata, drejtuesit politikë dhe të sigurisë, që lejuan të ndodhë kjo.
Policia u përpoq të mbronte veten duke argumentuar se ata prisnin vetëm përleshje të vogla midis fraksioneve të ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë, të tilla si ato që shpërthyen në nëntor në ditët e para pas humbjes elektorale të Donald Trump. Një tezë, që sipas një artikulli të hollësishëm të “La Repubblica” nuk qëndron, duke qenë se për dy muaj dihej që bandat e organizuara nga krahu më radikal i së djathtës ‘Trumpist ’, do të dilnin në rrugët e Uashingtonit. Mjafton të lexoheshin bloget dhe rrjetet sociale të disa prej tyre që mbështesnin Trump për të kuptuar se mijëra njerëz donin t‘i “vinin flakën kryeqytetit”. FBI dhe policia e Uashingtonit e dinte këtë.
Pranverën e kaluar, pas shpërthimit të lëvizjes së madhe të protestës pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë, kur mbështetësit e Black Lives Matter demonstruan përpara Capitol Hill ata u gjendën përballë një muri të pakalueshëm të formuar nga ushtarë të Gardës Kombëtare me veshje lufte.
Zyrtarët e rinj të Pentagonit të zgjedhur kohët e fundit nga Trump, kishin vendosur që në Uashington të mërkurën të zbrisnin 350 ushtarë të Gardës Kombëtare. Ata do të ishin të mjaftueshëm për të ndihmuar policinë veçanërisht në kontrollin e trafikut. Vetëm pasi Capitol Hill u prek, ata vendosën të aktivizonin edhe 1,100 trupa të tjerë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




