Bota

Alarmi në Angli: Silluni sikur jeni të infektuar me variantin e ri të Covid, izolohuni për 10 ditë

Autoritetet vendore në Britaninë e Madhe po u kërkojnë qytetarëve të tyre që të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi për të paktën 10 ditë për të shmangur përhapjen e variantit të ri të koronavirusit.

Ekspertët e shëndetit publik dhe kryebashkiaku i Mançesterit të Madh (Greater Manchester) u kërkuan të gjithë qytetarëve që kanë vizituar zonat e kuqe në Londër, Anglinë Jug-lindore dhe Uells që të vetëizolohen për të paktën 10 ditë dhe ta konsiderojnë veten si të infektuar me variantin e ri të Covid.

Mançesteri i Madh përmbledh Manchester-in, Wigan-in, Bolton, Bury, Rochdale, Oldham, Salford, Trafford, Stockport dhe Tameside. Zonat e kuqe përfshijnë Londrën dhe rrethinat e saj, pjesën lindore dhe jugore të Anglisë dhe disa zona në Uells.

Në këto zona, autoritetet britanike kanë njoftuar se kanë hasur variantin e ri të koronavirusit. Dyshimet e para janë që ky mutacion i virusit përhapet 70 për qind më shpejt se varianti ekzistues, ndërsa nuk ka të dhëna në lidhje me vdekshmërinë, apo nëse është rezistues ndaj vaksinës së autorizuar për përdorim të Pfizer.

Aktualisht, Britania e Madhe është pothuajse e izoluar nga vendet e tjera të botës. Me përjashtim të Spanjës dhe Portugalisë, të gjitha vendet e tjera të Europës kanë ndaluar fluturimet direkte. Të njëjtin vendim ka ndërmarrë edhe Kanadaja, ndërsa SHBA ka shtuar kontrollet për fluturimet që mbërrijnë nga Anglia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë