Bota

Zv/Presidenti i SHBA bën vaksinën para kamerave: Mrekulli mjekësore

Zv/Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, bëri të premten në mëngjes vaksinën kundër koronavirusit.

Ai mori dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me gruan e tij, Karen, dhe mjekun Jerome Adams. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

Pence tha se vaksina është e sigurt dhe efektive dhe se shpejtësia me të cilën është zhvilluar është “mrekulli mjekësore”.

Shtëpia e Bardhë tha se transmetimi i vaksinimit të Pence në televizion ka për qëllim “të promovojë sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës dhe të krijojë besim te populli amerikan”.

SHBA-të kanë nisur të hënën vaksinimin e popullatës me vaksinën Pfizer/BioNTech.

Për të është deklaruar se është 95 për qind efektive.

Tre milionë dozat e para të saj po shpërndahen në të 50 shtetet e SHBA-ve.

Amerika ka regjistruar numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi.

Këtë javë, numri i të vdekurve kaloi 300,000.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë