Rend dhe Ligj

I riu denoncon fqinjen që shpëtonte kafshët nga rruga: Qentë e saj më kafshuan

Një i ri ka angazhuar policinë për të hetuar fqinjen e tij, e cila është një shtetase e huaj që ndihmon kafshët e braktisura. Sipas burimeve të gazetës Si denoncuesit ju vërsulën dy qentë e komshies me emrin Marta.. “Qentë ishin të palidhur dhe me hundëza”- kallëzon G. N., i cili për pak minuta është gjendur nën tërbimin e dy qenve. “Qentë më kafshuan në pulpë dhe në krahë, tentova të mbrohem, por nuk i ndalja dot”, thotë pranë policisë i riu. Sipas burimeve i riu këmbëngul se veç plagëve fizike ka kaluar edhe shok psikologjik. Sipas burimeve i riu pas dëmtimeve të shumta ka shkuar për t’u mjekuar në një spital privat, kurse nuk ka hezituar që t’u vendosë autoriteteve edhe kartelat mjekësore ku citohen dëmtimet dhe kafshimet e qenve. “Kërkon ndjekjen penale të fqinjës, pasi braktisja e kafshëve është vepër penale, dhe do kërkoj edhe dëmshpërblim”, këmbëngul më tej G.N.

Sipas burimeve policore pas këtij momenti është thërritur dhe marrë dëshmia e gruas, një shtetase e huaj, e cila tregon që gjendej në Shqipëri dhe shpëtonte qentë e rrugës.

“Kam shpëtuar pesë qen, të cilët i kam dërguar në një qendër për shpëtimin e kafshëve në Lushnjë dhe në Tiranë. Atë natë gjendesha në banesë dhe po laja qenin, i cili pa pritur u largua dhe doli nga banesa. Qeni im ka shok një qen të braktisur që e ka lënë në rrugë i zoti dhe ai quhet Gucci, të cilin e ushqej unë. Nuk e ka sulmuar qeni im, por Gucci”.

Duke përshkruar se ajo e pa skenën kur qeni i panjohur po e kafshonte fqinjin, Marta më tepër flet për qenin. “Gucci është i traumatizuar sepse e ka braktisur i zoti dhe ndaj sulmon njerëzit që e ngacmojnë. Personi që u rrëzua në tokë dhe më pas u largua dhe në këtë moment pasi qetësova qenin tim, pashë që Gucci qeni tjetër nuk kishte hundëz pasi është i braktisur”.

Policia bën me dije se ka kryer verifikime për qenin e Martës që quhet Sabber dhe që nuk konsiderohet si i rrezikshëm. “Fqinjët më kërcënuan dhe kërkuan që të largohem nga lagjja dhe atë do bëj, po kërkoj një banesë tjetër. Por unë nuk mbaj përgjegjësi për Guccin, pasi ai është i braktisur, mbaj përgjegjësi për Sabber i cili nuk e ka sulmuar kallëzuesin”, këmbëngul më tej gruaja nga Holanda.

Policia deklaron për gazetën Si se në mungesë të të dhënave dhe provave që do të zbulonin se kush është pronari i qenit sulmues, çështja nuk mund të kthehet penale dhe holandezja nuk mund të hetohet për braktisje të kafshëve. “Ne nuk mund të vërtetojmë nëse ishte qeni i saj apo qeni i braktisur qe sulmoi qytetarin dhe për këtë shkak nuk mund ta procedojmë”, shton për gazetën Si një zyrtar i policisë që thekson se denoncimet për braktisje kafshësh janë të shpeshta, por përpara prokurorisë dalin vetëm ata që u vërtetohet me dëshmi se cili qen i sulmoi.

“Nuk jam  i qartë se cili qen më kafshoi por dëmet e mia përshkruhen në kartelë”, i thotë policisë i riu, që këmbëngul se policia duhet ta zbulojë pronarin e Guccit dhe ta hetojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë