Ka ndodhur

Arrestohet në Dubai, kunati i Lul Berishës, Plarent Dervishaj

Kunati i Lul Berishës, Plarent Dervishaj është arrestuar në Dubai për llogari të Shqipërisë.

Dervishaj u shpall në datën 8 dhjetor në kërkim ndërkombëtar bashkë me Lul Berishën, pasi nuk u kapën dot gjatë operacionit "Asgjë nuk harrohet" nga Policia.

Pas 3 ditësh Plarent Dervishaj është arrestuar tashmë teksa avokati i tij 2 ditë më parë i cilësoi akuzat e SPAK-ut ndaj klientit të tij si paçavure për qëllime politike.

Dervishaj kërkohet nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut, 15 vite më parë në autostradën Tiranë-Durrës.

Dëshmia e të penduarit Luftar Reçi çoi në zbardhjen e një prej dosjeve të bujshme. Mësohet se Dervishaj është larguar në drejtim të Dubait, pak para se SPAK të lëshonte urdhërarrestin për të.

Në kërkim vijon të jetë edhe Lulzim Berisha. Ish-anëtarët e bandës famëkeqe të Durrësit akuzohen për atentatin e përgjakshëm ndaj Klodian Saliut (i cili gjithashtu ka qenë pjesë e bandës kriminale) si dhe të biznesmenit Vajdin Lame, me tritol në ashensorin e pallatit ku banonte, pranë pasticeri Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë