Rynat Akhmetov shfaqet në listën e Forbes si njeriu më i pasur në Ukrainë, edhe pse pasuria e tij konsiderohet të ketë rënë në vitet e fundit. Konkretisht, pasi qeveria e Kievit pushoi së qeni në duart e Viktor Janukoviç. Që kur u bë president i Shakhtar (1996), ekipi i minierave ka fituar 34 nga 39 titujt e mundshëm. Por futbolli është pak më shumë se një hobi për njeriun që konsiderohet i 875-ti më i pasur në planet, një renditje në të cilën ai arriti falë një pasurie prej 6.7 miliardë dollarësh. Burime të tjera pretendojnë se ai grumbulloi gati 12 miliardë dollarë.
Ahmetov zotëron një perandori që përfshin më shumë se 100 kompani. Djali i një minatori qymyri nga zona e Donbas, e ndërtoi pasurinë e tij në vitet 1990, pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Ai përfitoi nga privatizimet në Ukrainë për të endur një rrjet në të cilin është e vështirë të ndash politikën nga ekonomia. Çeliku, minierat dhe termoelektriciteti janë shtyllat e një fuqie që prek fusha të tjera: farmaceutikë, media, teknologji…

Konferenca e paqes në Minsk
Në këtë udhëtim, Akhmetov eci shumë afër Viktor Janukoviç, presidenti i rrëzuar i Ukrainës dhe sot i arratisur nga vendi i tij, i cili e akuzon atë për tradhti të lartë dhe për mbështetjen e Rusisë në konfliktin midis dy kombeve në zonën e Donbas, që nga prilli 2014.
Figura e presidentit të Shakhtar është e rrethuar nga misteri, sikur të ishte një nga ata personazhe të Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara i mohojnë atij një vizë, por të gjithë në Ukrainë e dinë që vizitat e tij në ambasadën e SHBA në Kiev janë të zakonshme.
Përkrahë presidentit të Shakhtar ecën hija e dyshimeve, e hetimeve gjyqësore. Por, asnjëherë nuk ka marrë sanksione. Bizneset e tij vazhdojnë aktivitetin në të dy anët e konfliktit. Ndikon në Kiev dhe në zona ku mbizotëron zëri i Kremlinit. Në Londër ai zotëron një rezidencë spektakolare, në “One Hyde Park”, për të cilën pagoi 150 milionë dollarë më 2011. Janarin e kaluar bleu “Villa Les Cedres”, në Saint-Jean-Cap-Ferrat, në Francën jug-lindore për 200 milionë euro.

Lufta
Shakhtar dhe Akhmetov u larguan nga shtëpia e tyre vite më parë. Ata po linin pas një qytet në luftë, një stadium të madh të dëmtuar nga bombat. Ëndrra e tij është të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur, por e di që tani është e pamundur. Rrugët e Kievit kujtojnë çdo grimë të viktimave nacionaliste ukrainase, të një lufte që tashmë ka marrë gati 10.000 jetë. Nëse pyesni në Ukrainë, se në cilën anë është Akhmetov, ngritja e supeve është një përgjigje e zakonshme.
Disa thonë se ai mbështeti njerëzit pro-perëndimorë gjatë revolucionit në sheshin “Maidan”; disa pretendojnë se e kanë dëgjuar duke mbështetur separatistët pro-rusë në vendlindjen e tij. E vërteta është se ai ka pësuar akuza dhe sulme nga të dy palët. Konsiderohet më pranë Kremlinit sesa me pallatin “Mariyinsky” në Kiev, por kancelaritë europiane, gjithashtu besojnë se ai është jetik për të përparuar drejt paqes.

Fondacioni i tij, ndihma mjekësore
Në anën tjetër të kaq shumë polemikave dhe dritë-hijeve del ana filantropike e Rynat Akhmetov. Në valën e parë të koronavirusit, ai dha 9 milionë euro për të ndihmuar punën në spitalet e Ukrainës. “Asnjë vend në botë nuk ishte i përgatitur për një epidemi të kësaj madhësie. Dhe ne mund ta trajtojmë atë së bashku, duke kombinuar përpjekjet e autoriteteve qendrore dhe rajonale, bizneseve dhe të gjithë qytetarëve ukrainas”,- tha ai.
Qendra Humanitare “Rinat Akhmetov” punon në zonën e Donbas për të siguruar ndihmë të të gjitha llojeve (ushqim, shëndet, arsim, mbështetje psikologjike…) për të gjithë njerëzit e prekur nga konflikti i luftës.
Ky është portreti i njeriut që udhëheq Shakhtar, një jetë në të cilën futbolli është një pasion mes dollarësh, biznesit, samiteve botërore dhe një lufte…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




