Akuza e SPAK ndaj Viktor Ymerit dhe Emiljano Shullazit i përfshin ata si bashkëpunëtorë në ekzekutimin me lëndë plasëse të Vajdin Lamajt në ashensor në ngjarjen e 28 shkurtit të 2005-ës. Megjithatë, Ymeri nuk gëzonte “përshtypje të mira” për Shullazin dhe grupin e tij.
Sipas rrëfimit të dëshmitarit të penduar të drejtësisë, L.R., tetë vite nga vrasja e Lamajt, Ymeri, i lindur në Vlorë i ka treguar jo vetëm përfshirjen e tij në këtë vrasje, por edhe se çfarë mendonte për Emiljano Shullazin.
Ymeri, sipas dëshmisë së L.R., i konsideronte “mendjemëdhenj, të paaftë dhe gobaxhinj”.
“Viktor Ymeri më ka thënë brenda burgut me mburrje se ata, duke iu referuar Emiljano Shullazit me njerëzit e tij, dinë vetëm të hapen by…sh me makina e k..va duke ju vënë gjoba njerëzve se nuk kanë zgjuarsi tjetër. Viktori më tha se "edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit, se ata nuk ja kanë haberin dhe dinë vetëm me u hapë by…sh".
Ky rrëfim i Viktor Ymerit, sipas të penduarit të drejtësisë, L.R., është bërë në Burgun e Peqinit, ku dëshmitari dhe Ymeri po vuanin dënimet përkatëse.
L.R. dëshmon se tritoli i vendosur në ashensorin ku mbeti i vrarë Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi është përgatitur në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës dhe më pas është marrë nga Emiljano Shullazi.
“Kur kemi dalë jashtë oborrit të shtëpisë së J…, në rrugë ishte parkuar një makinë e llojit “Peugeot”, ose “Renault” me ngjyrë anonte nga e zeza, tip i ri, ku pranë saj u afrua vetëm Indriti (Taulla) dhe takoi personin që ishte në timon. Kur Indriti u afrua tek mjeti në fjalë, shoferi hapi derën dhe u ndez drita e brendshme e mjetit. Unë pashe se në këtë mjet ishin dy persona, shoferi që ishte Emiljano Shullazi dhe një vajzë, e cila ishte në vend të parë të mjetit. Unë isha në largësi 15 metra nga mjeti i Emiljanos. Sqaroj se Emiljanon e ksiha të njohur sepse e kisha njohur më parë, ishte njohje e Lulit dhe Indritit. Unë pashë se Indriti ja dha minën me telekomandë, që u përgatit brenda garazhdit, Emiljano Shullazit”, dëshmon L.R.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.