Analize

Greqia ankohet në BE: Turqia na ka kërcënuar me luftë nëse zgjerohemi me 12 milje

Ndërkohë që Bashkimi Europian po diskuton nëse do të vendosë ose jo sanksione kundër Turqisë, ministri i Jashtëm grek Niko Dendias u kërkoi vendeve anëtare të merrnin masa ndaj Ankarasë, duke i informuar se ajo i kishte kërcënuar me luftë.

Duke folur në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE, ku u diskutua mundësia e sanksioneve kundër Turqisë për sjelljen e saj delikuente në Mesdheun lindor, Dendias tha se Turqia e kishte kërcënuar Greqinë, me konflikt të armatosur të mos zgjerohej më 12 milje detare në Mesdhe.

“Duhet të ketë një reagim kundër Turqisë. Dhe kjo është ajo që do të diskutohet në Këshillin e liderëve të BE-së javën e ardhshme “, tha Nikos Dendias ” Turqia nuk e kuptoi mesazhin pozitiv të Bashkimit Europian nga këshilli i Tetorit “.

“Ankaraja ka vazhduar me sjelljen e saj delikuente dhe madje edhe nën një kontekst që është plotësisht i papranueshëm duke na kërcënuar me luftë nëse shtrijmë ujërat territoriale në 12 milje detare”, tha ai. Paralajmërimi i Turqisë vjen pasi Greqia ndërmori një nga veprimet më agresive të politikës së jashtme, duke deklaruar se do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon.

Duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë, kryeministri Qiriako Mitsotaqis tha se Greqia ka në plan të shtrijë madhësinë e ujërave të saj territoriale përgjatë vijës bregdetare të saj perëndimore në Detin Jon nga 6 milje detare në 12 përpara se dy vendet t’i drejtohen Hagës. Edhe pse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë, zgjerimi i Greqisë në Detin Jon vjen për përfitime të brendshëm politike, pasi kjo lëvizje e Athinës është projektuar për të goditur tjetër kund, në anën tjetër të Mesdheut, në Turqi. Ekspertët thonë se për Greqinë, ky vendim nuk është asgjë tjetër, veçse një provë për të parë nëse mund të zgjerohet edhe në Egje.

Mes përplasjeve disa- mujore me Turqinë, ku nuk kanë munguar as mjetet luftarake, Athina ka vendosur të ndajë të gjithë kufijtë detarë, duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë zgjerimin e sovranitetit të saj.

Edhe pse ky vendim nuk ndikon drejtpërdrejt në mosmarrëveshjen midis Greqisë dhe Turqisë, Mitsotakis paralajmëroi hapur se Athina mund të shtrijë ujërat e saj në drejtime të tjera. Turqia ka paralajmëruar vazhdimisht se një veprim i ngjashëm përgjatë vijës bregdetare të Greqisë është një provokim për luftë. Megjithatë, Mitsotaqis duket se po tregon më shumë guxim politik se paraardhësi i tij, Aleksis Tsipras.

Lëvizja e Mitsotakis për shtrirjen e ujërave territoriale erdhi pasi Ankaraja nënshkroi dy marrëveshje mbi kufijtë detarë të arritur së fundmi me Italinë dhe Egjiptin. Kjo e fundit tërboi Ankaranë, e cila e quajti atë “të pavlefshme”, duke pretenduar se zona në fjalë “shtrihet brenda shelfit kontinental turk” dhe gjithashtu shkel të drejtat detare të Libisë.

Interesi për Detin Jon është rritur pasi kompani të mëdha botërore bënë në Jon e parashikuan se në këtë territor ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Kjo ka bërë që si Turqia ashtu edhe Italia të jenë sy e vesh nga marrëveshja mes Athinës dhe Tiranës.

Dy vite më parë, Greqia njoftoi po ashtu zgjerimin me 12 milje detare në të gjithë kufijtë e saj detar, përfshirë edhe Jonin, por u tërhoq pikërisht pas ndërhyrjes së Turqisë. Pa kaluar ende një javë nga deklarata e ish-ministrit Nikos Kotzias, Greqia vendosi të pezullonte aksionin diplomatik për zgjerimin me 12 milje detare të kufirit detar me Shqipërinë dhe Turqinë, pas kërcënimeve të kësaj të fundit.

Tirana zyrtare nuk doli asokohe me një qëndrim zyrtar, por deklaratat e kryediplomatit grek u pritën me “zjarr dhe tërbim” në Ankara. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çaushoglu, deklaroi se çdo veprim i Athinës për zgjerim të vijës së saj bregdetare, në Jon ose Egje, do të përbënte shkak për luftë (Casus Belli).

“Ne këshillojmë Greqinë që të qëndrojë larg nga sjelljet që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të situatës në Mesdhe. Pretendimet jorealiste të Greqisë do të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe stabilitetin rajonal”, thuhej në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme turke. Ankaraja zyrtare paralajmëroi se nuk do të toleronte asnjë akt në detin Egje, për të cilin nuk ka marrëveshje dypalëshe. Çaushoglu iu referua një rezolute të vitit 1995, ku thuhej se çdo veprim i njëanshëm i Greqisë për të shtrirë nga 6 në 12 milje ujërat territoriale, do të shërbente si shkak për luftë. Por kur bie fjala për zgjerimin e sovranitetit në Detin Jon, Greqia e di se nuk do të gjejë një forcë të tillë konfrontuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë